Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

EULEX-i për Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur - Qytetarëve të Kosovës u duhet përmbyllja për humbjen e dhimbshme të dashurve të tyre

27 prill 2018

Në këtë ditë kur Kosova e shënon Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, EULEX-i këtë vit dëshiron t’i përkujtojë të gjithë të pagjeturit si dhe plojën e të afërmve të tyre me një theks të veçantë në gratë dhe burrat e rinj të cilët akoma nuk kanë përgjigje për fatin e prindërve të tyre të pagjetur. EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për këtë rrugëtim të rëndësishëm drejt zbardhjes së vendndodhjes së personave të pagjetur në Kosovë.

"Është një realitet që të copëton shpirtin kur nuk e din vendndodhjen e ndonjë të dashuri. Në angazhimin e tij me vendosmëri për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, EULEX-i u bën thirrje komuniteteve shqiptare dhe serbe që të paraqiten për t’i dhënë mostrat e gjakut për analizën e ADN-së në mënyrë që të lehtësohet ky proces i rëndësishëm ", tha Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou.

Deri më sot, rreth 1650 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, ndërsa është me rëndësi që puna për të gjetur përgjigje ndaj fatit të tyre të vazhdojë pa pushim. Kjo mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin e të gjitha palëve përkatëse dhe me një nivel të lartë të ekspertizës. Ajo duhet të mbetet një prioritet i lartë për autoritetet e Kosovës - veçanërisht në një kohë kur ata po përgatiten që të marrin përsipër funksione tejet të rëndësishme të sundimit të ligjit nga EULEX-i, duke e përfshirë edhe fushën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

"Familjet kanë nevojë që ta përmbyllin të kaluarën e tyre të dhimbshme dhe humbjet tragjike që i kanë pësuar. Kjo është mënyra e vetme për të ecur tutje", tha zonja Papadopoulou.

Që nga viti 2008, EULEX-i i ka kryer 594 operacione në terren me qëllim identifikimin dhe ri-lidhjen e mbetjeve njerëzore. 506 viktima u janë kthyer familjeve të tyre.

http://www.eulex-kosovo.eu/?page=2,13,86