Lajme

Kërkimi për të zhdukurit - Rrëfimi i Fatimes

30 gusht 2017

Njësoj sikur edhe çdo vit tjetër, Fatime Krasniqi shkoi tek përmendorja e bashkëshortit të saj në fshatin Qupevë e Ulët në Komunën e Klinës, ku ajo jeton me tre fëmijët e saj, për ta shënuar përvjetorin e tetëmbëdhjetë  të zhdukjes së tij.

Asaj dhe pjesëtarëve të familjes së saj as që u kishte shkuar mendja se vetëm disa ditë më vonë do të kontaktohej nga EULEX-i dhe Instituti i Mjekësisë ligjore (IML) në Prishtinë për t’i dhënë lajmin se ishin identifikuar mbetjet mortore të bashkëshortit të saj të ndjerë Sefer Azem Krasniqi.

Ky lajm familjes Krasniqi i solli pak shpresë si dhe shqetësime të reja. Si çdo familje tjetër e të pagjeturve të Kosovës, edhe ata kishin shpresuar se të dashurit e tyre do të ktheheshin. Sikur çdo familje tjetër, ndërsa shpresa për t’i parë të dashurit e tyre po tretej ngadalë, edhe ata luteshin që të mund ta mbyllnin këtë vuajtje me çka do të përfundonte pritja e tyre e gjatë – me një varrim të denjë.

‘Unë vazhdimisht i thosha vetes se ndoshta ka mundësi që ati të mos jetë zhdukur krejtësisht,’ i kishte thënë Fatimja EULEX-it.

Mbetjet mortore të Seferit ishin identifikuar pas ri-zhvarrimit të pjesëve trupore të një numri të viktimave tjera në Kralan. Mbetjet mortore të Seferit, në të vërtetë, ishin gjetur në një varr të vetmuar të një viktime tjetër në fshatin Balincë, në Malishevë, një qytezë dhe komunë në regjionin e Prizrenit në Kosovë. Ky varr ishte rihapur pas iniciativës së EULEX-it për t’i analizuar rastet e mbyllura më përpara ku analizat e ADN-së ishin bërë vetëm nga një kockë.


Seferi u gjet si rezultat i angazhimeve të ekspertëve të EULEX-it për t’i identifikuar rreth 1665 persona të pagjetur që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, të cilët duhet të gjinden apo të identifikohen. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në fshatin Kralan më 4 prill 1999 ishin vrarë 78 shqiptarë të Kosovës të cilët ishin kapur nga forcat serbe.

Për identifikimin e suksesshëm të viktimave të vrara në masakrat si kjo kërkohet një qasje më ndryshe. Hipoteza e punës mbi të cilën janë duke punuar ekspertët e EULEX-it është se secila pjesë kockore mund ta përfaqësojë një person tjetër.

Avancimi i teknikave të identifikimit me anë të ADN-së e sjellë shpresë të re lidhur me përpjekjet e këtij Misioni për t’i identifikuar personat e pagjetur. Që prej se është krijuar ky Mision në dhjetor 2008, ekspertët mjekoligjor të EULEX-it kanë qenë të integruar në institucionet kosovare siç është Instituti i Mjekësisë Ligjore për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre rasteve.

Fatimja kishte njohuri për familjarët e disa miqve të cilët ishin ri-zhvarrosur në këtë mënyrë për ta lehtësuar procesin e identifikimit. Duke e ditur se sa e dhimbshme mund të jetë kjo situatë për familjet e atyre që kanë vdekur, Fatimja e pranon rëndësinë e bashkëpunimit të familjeve të dashurit e të cilëve tashmë janë identifikuar, për ta dhënë pëlqimin për ri-zhvarrimin e anëtarëve të familjeve të tyre. Kjo është tejet me rëndësi për ta mundësuar identifikimin e personave tjerë fati i të cilëve mbetet i panjohur.

‘Porosia ime për familjet të cilat i kanë varrosur të dashurit e tyre më përpara pa qenë të sigurt njëqind për qind për identifikimin e tyre, është që të lejojnë rihapjen e varreve për ta bërë një vlerësim të duhur. Familjet duhet të pajtohen për të siguruar identifikimin e duhur të viktimave. Për mua ka qenë shumë e vështirë që të shkoja dhe ta vizitoja varrin e zbraztë’, thotë Fatimja duke e shprehur mirënjohjen e saj për punën e bërë e cila solli deri te identifikimi i Seferit.

Ndërsa ky vendim, si dhe procedura mund të jenë jashtëzakonisht të vështira për familjet, falë këtyre ri-zhvarrimeve dhe pas analizave të ADN-së, njerëz zi Fatimja kanë mundur që përfundimisht ta dinë fatin e pjesëtarëve të familjeve të tyre.

Tarja Formisto, Zëvendës-Drejtoreshë e Institutit të Mjekësisë Ligjore nga EULEX-i, i sqaroi disa nga pengesat kryesore për identifikimin e personave të pagjetur. ‘Ne kemi njohuri se si janë zhdukur njerëzit, por në disa raste informatat janë të pakta ose nuk kemi fare informata. Jo të gjitha familjet e personave të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut, kurse ka shumë persona të pagjetur që janë të moshuar pa familjarë që mund të japin mostrat e gjakut, por ka edhe familje që refuzojnë të japin mostrat e gjakut.’

Fatimja i bën apel familjeve të personave të pagjetur të cilat nuk u kanë ndihmuar ekspertëve mjekoligjorë për proceset e identifikimit duke i dhënë mostrat e gjakut që ta bëjnë këtë. ‘Porosia ime për familjet të cilat nuk i kanë dhënë mostrat për identifikimin e të dashurve të tyre është se ata duhet ta bëjnë këtë gjë, e të mos presin që EULEX-i t’ua kërkojë këtë. Pa e bërë këtë EULEX-i e ka jashtëzakonisht të vështirë që t’i identifikojë të dashurit tuaj.’

Nëse familjarët dëshirojnë t’i japin mostrat e gjakut, ata mund ta kontaktojnë personat përkatës të IML-së dhe të IMPL të EULEX-it, si dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në Prishtinë, të cilët pastaj u ndihmojnë familjeve me procesin e dhënies së mostrave të gjakut Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP).

Nga këndvështrimi mjeko-ligjor, ende ka pengesa të tjera përkitazi me identifikimin e të pagjeturve. Në rastet kur janë gjetur mbetjet mortore të personave që kanë vdekur në situata të vrasjeve masive, ekspertët e mjekësisë ligjore duhet të kalojnë nëpër procesin e gjatë të identifikimit të çdo fragmenti kockash që është gjetur në vendin e ngjarjes. Megjithatë, kjo metodë, si dhe zhvarrosja, kanë shënuar sukses në identifikimin e personave tjerë. Që nga fillimi i misionit në dhjetor 2008, kur EULEX filloi punën me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të 495 viktimave. Këtu përfshihen 390 persona të zhdukur të cilët u gjetën pas 570 operacioneve intensive në terren dhe analizave laboratorike, autopsive dhe punës për identifikim, si dhe janë analizuar rreth 2200 mostra të ADN-së së eshtrave.

Që nga muaji shtator 2016, eksperti i arkeologjisë mjeko-ligjore i EULEX-it e ka vënë në përdorim Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS), i cili u ofron ekspertëve një analizë më të thellë lidhur me personat e pagjetur dhe të identifikuar, si dhe e lehtëson verifikimin e mostrave adekuate të gjakut nga familjet e secilit person të zhdukur. Përparimet teknologjike si këto kanë sjellë rezultate që tregojnë përparim të suksesshëm në fushën e identifikimit të personave të pagjetur.

Shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou e përsëriti zotimin e EULEX-it për t’i zgjidhur rastet e hapura të atyre që janë ende të pagjetur. "EULEX-i është këtu për t’i ndihmuar institucionet e Kosovës që të ecin përpara ndërsa merren me çështje nga e kaluara, duke përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë të kalojë, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por për sa kohë që ne do të jemi këtu, kurrë nuk do të dorëzohemi ".

EULEX-i shfrytëzon këtë mundësi për t’i bërë thirrje familjeve të cilat ende nuk e kanë bërë këtë, që të bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse duke i dhënë mostra e gjakut për analizën e ADN-së, të cilat, përkundër kohës së gjatë që ka kaluar nga zhdukja e tyre, bëhen shumë të rëndësishme për identifikimin e suksesshëm të personave të pagjetur si Seferi, si dhe të gjithë të dashurve të tjerë në Kosovë të cilët janë ende të pagjetur tash e 18 vjet pas përfundimit të konfliktit.

Sot, më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Me këtë rast, EULEX-i përfiton nga kjo mundësi që t’i përkujtojë ata që u zhdukën si dhe plojën e familjeve të tyre.