Lajme

Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët 2017 (Cycle Kosovo for Children 2017)

22 shkurt 2018

Mark Dixon, Shef i Njësisë Këshilluese të EULEX-it për Çështje të Policisë dhe Kufirit, ia dorëzoi Njësisë së Kujdesit Intensiv të Neonatologjisë në Pejë, Kosovë disa pajisje shumë të nevojshme gjatë një ceremonie rasti për këtë donacion.

Këto pajisje janë siguruar falë fondeve të mbledhura gjatë organizimit të turneut të katër vjetor bamirës “Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët” në të cilin çiklistët e përshkuan një distancë prej 500 km nëpër fshatrat dhe qytetet kryesore të Kosovës me 6000 metra ngjitje.

Gjatë këtij organizimi në vitin 2017 u mblodhën gjithsej 8,384.50 euro përmes sponsorizimeve të korporatave, kontributeve individuale online dhe me anë të lotarisë. Ky ishte një sukses shumë i madh dhe ishte hera e parë që ai u organizua nga çiklistët vendas dhe organizata bamirëse “Aksioni për nënat dhe fëmijët”.

Shuma e përgjithshme e mbledhur gjatë këtyre organizimeve në katër vitet e kaluara ka arritur shifrën prej rreth 50,000 euro, ku secili prej këtyre turneve e ka të njëjtin qëllim; do të thotë mbledhjen e fondeve në emër të organizatës bamirëse “Aksioni për nënat dhe fëmijët” e cila e ndihmon Njësinë e Maternitetit në Spitalin Universitar të Prishtinës dhe njësitë tjera rajonale.

Pajisjet që i janë dhuruar kësaj njësie në Pejë janë shumë të rëndësishme për matjen e shkallës së infeksioneve në gjakun e foshnjave, për të mundësuar terapinë e shpejtë me antibiotikë, kohëzgjatjen e duhur të terapisë dhe kontrollet dhe trajtimin vijues. Ky trajtim është tejet efikas pasi që rezultatet bëhen gati për 4 minuta pas marrjes së gjakut, ndërsa përdorimi i këtyre pajisjeve pritet ta përmirësojë efikasitetin e kujdesit të ofruar për foshnjat e porsalindura në Pejë.

Herëve të kaluara, paratë e mbledhura janë përdorë për blerjen e një Analizatori për Hematologji, foto-llambave UV për inkubatorët e foshnjave dhe Monitorëve Kardiopulmonar, të cilat i janë dhuruar Njësisë së Maternitetit.

Marku theksoi, ‘Të gjithë ne që ishim të përfshirë në organizimin bamirës “Xhiro Kosovën me biçikletë për fëmijët” jemi shumë të kënaqur që po ia dorëzojmë këto pajisje kësaj njësie. Ne u jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen e ofruar, duke përfshirë edhe mbështetjen logjistike nga EULEX-i për të katërtin vit me radhë.  Ne shpresojë se tash e tutje ky organizim bamirësie do të merr karakter tradicional vjetor.