Lajme

Grupi punues i forenzikës për dhunën seksuale dhe dhunën e bazuar në gjini

05 mars 2018

EULEX-i, në partneritet me organizatën UN Women, ndihmoi në realizimin e takimit të parë të grupit punues me Policinë e Kosovës, Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Agjencinë Forenzike të Kosovës, për të bërë një vlerësim të kapaciteteve të përbashkëta të institucioneve për grumbullimin dhe përdorimin e provave forenzike gjatë hetimit të akuzave për dhunë seksuale dhe dhunë në bazë gjinore.

I mbajtur të premten e kaluar, takimi i grupit punues u përqendrua në diskutimet se si institucionet mund të punojnë në mënyrë më bashkëpunuese për të shtuar ndërveprimet gjatë hetimit të rasteve të dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini dhe rastet e dhunës në familje, çka do të përmirësonte grumbullimin e provave forenzike në mbështetje të viktimës dhe promovimit të qasjes hetimore të përqendruar në viktimën.

Përfaqësuesit e lartë nga secili institucion i diskutuan të gjitha aspektet e provave forenzike dhe vlerën e tyre, nga gjetja e mundësive për sigurimin e provave deri tek prezantimi i atyre provave në procese gjyqësore. Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se tek këto lloje të hetimeve, viktima duhet të jetë në fokus.

Gjatë pesë viteve të fundit, EULEX-i ka monitoruar raste të dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini si dhe raste të dhunës në familje të cilat janë trajtuar nëpër procese të drejtësisë penale të Kosovës, dhe ka konstatuar se derisa institucionet veç e veç i kanë kapacitetet dhe aftësitë e nevojshme, mundësitë për punë më efektive në partneritet mund të shikohen.       Qëllimi i grupit punues ishte shfrytëzimi i mundësive për punë më efektive në partneritet, kuptimi më i mirë i kapaciteteve të secilit institucion, kritereve dhe praktikave të punës, me qëllim të krijimit të një niveli të dakorduar të shërbimit nga shumë agjenci. 

Zëvendëskryeprokurorja Sevdije Morina, e cila e kryesoi takimin, theksoi: “ky është hap i parë drejt bashkëpunimit më të ngushtë ndërinstitucional, që do të përmirësojë aftësitë e autoriteteve për t’i grumbulluar të gjitha provat e mundshme për rastet me ndjeshmëri të lartë, me respektin më të madh për viktimën”.

Takimi i parë i grupit punues rezultoi me dialog pozitiv dhe zotim nga të gjitha institucionet për ngritjen e vlerës së përdorimit të provave forenzike, për promovimin e praktikave të përbashkëta, që do të rezultojë në përdorimin efektiv të provave forenzike nëpër procese gjyqësore. Ky fokus i shtuar tek provat forenzike iu ndihmon viktimave dhe krijon besim të shtuar në procesin e drejtësisë penale në Kosovë.  

Përfaqësuesi nga EULEX-i, Mark Dixon, tha: “EULEX-i është më se i lumtur t’i mbështesë institucionet relevante të Kosovës për vlerësimin e asaj se si këto institucione mund t’i rrisin kapacitetet e tyre ekzistuese të përbashkëta për të siguruar prova forenzike për hetimet e rasteve të dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini. Viktimat e këtyre veprave ballafaqohen me shumë sfida gjatë procesit të drejtësisë penale, dhe çdo lloj kapaciteti i shtuar për mbështetjen dhe vërtetimin e deklaratave të viktimave, dhe për asistimin në gjetjen e fakteve të hetimeve, do të ishte i mirëpritur.”