Lajme

Shefja e Misionit EULEX u foli nxënësve për Ditën kushtuar BE-së

18 prill 2019

Më 15 prill, Shefja e Misionit EULEX (SHM) Alexandra Papadopoulou e ka mbajtur një ligjëratë për vlerat, parimet dhe sfidat evropiane përpara nxënësve të Shkollës së Mesme Gjin Gazulli në Prishtinë, si pjesë e iniciativës Dita kushtuar BE-së.

Si pjesë e këtij projekti, i cili këtë vit e shënon përvjetorin e 10-të të tij, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Kosovë mbajnë orë nëpër shkollat fillore dhe të mesme anembanë Kosovës me qëllim që gjeneratave të reja t’ua sjellin më afër Bashkimin Evropian.

Në fjalën hyrëse të saj, zj. Papadopoulou e përshkroi Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP) si “një instrument shumë të rëndësishëm për promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në mbarë botën në fushat e interesit strategjik.” Në këtë drejtim, EULEX-i është gjithashtu pjesë përbërëse e qasjes rajonale të përgjithshme të BE-së karshi Ballkanit Perëndimor.

SHM foli për të kaluarën dhe të tanishmen e këtij Misioni, duke theksuar se “EULEX-i e ka ndihmuar Kosovën për të ndërtuar një kuadër institucional dhe legjislativ për sundimi e ligjit i cili është gjithnjë e më shumë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.” Ajo u foli studentëve për mandatin dhe funksionet aktuale të këtij Misioni si dhe për mënyrën se si ka kontribuar EULEX-i në forcimin e institucioneve kosovare për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“E ardhmja e Kosovës është në duart e kosovarëve, dhe në veçanti të qytetarëve të rinj të saj si ju”, theksoi zj. Papadopolou në përfundim të fjalës së saj, duke ua kujtuar nxënësve se edhe ata kanë mundësi që të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe për të hedhur hapa drejt BE-së.

Ky varg i ligjëratave për Ditën kushtuar BE-së është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja Speciale  Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës dhe drejtoritë komunale për arsim.