Ç’është EULEX-i?

Ç’është EULEX-i?

Ç’është EULEX-i?

Misioni

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është të mbështesë institucione të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Mandati aktual i EULEX-it është filluar për të mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2025 në bazë të Vendimit të Këshillit 2023/1095. Në kuadër të mandatit të tij, Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara.

Misioni funksionon brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244.

Mandati

EULEX Kosovo zbaton mandatin e tij përmes Shtyllës për Monitorim dhe Shtyllës Mbështetëse për Operacione.

Përmes Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Shtylla për Monitorim kryen monitorim të thuktë të rasteve të përzgjedhura ku mbulohet zinxhiri i plotë i drejtësisë penale dhe raste të drejtësisë civile për çështje pronësore dhe të privatizimit.

Kjo Shtyllë po ashtu i përqendron aktivitetet e veta të monitorimit në raste të përzgjedhura të cilat janë trajtuar nga EULEX-i gjatë mandatit të tij ekzekutiv që ka përfunduar në mes të qershorit 2018 dhe të cilat më vonë i janë dorëzuar gjyqësorit vendas, si dhe në raste të tjera.

Përmes Njësisë së tij Korrektuese, Shtylla për Monitorim po ashtu e mbështetë Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) për të zhvilluar ekip menaxherial profesionist përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit dhe një pranie të vazhdueshme në institucionet e SHKK-së. Njësia Korrektuese po ashtu ndihmon SHKK-në për rritjen e kapaciteteve të saj për ofrimin e rehabilitimit për të burgosurit.

Përmes Këshilltarëve të Lartë Policorë të EULEX-it në Kosovën veriore, Shtylla për Monitorim këshillon Drejtorinë Rajonale Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj për një sërë çështjesh që lidhen me ofrimin e shërbimeve policore.

Funksionet operacionale kryhen nga Shtylla Mbështetëse për Operacione e Misionit e cila ka kapacitet të mbetur të kufizuar si reagues i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë në fushën e sigurisë, EULEX-i është reaguesi i dytë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë në fushën e sigurisë. EULEX-i gjithashtu e mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Misioni gjithashtu i ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin përkatës të Kosovës. Përveç kësaj, ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshillim për identifikimin e varrezave të mundshme të fshehta dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Misioni vazhdon ta menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Shef i Misionit: Z. Giovanni Pietro Barbano

EULEX-i është i përkushtuar që ta përmbush obligimin e tij për përfshirjen e aspektit gjinor dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aktivitetet e tij, si në kuadër të Misionit ashtu edhe gjatë punës me institucionet e Kosovës.

Fakte të shpejta:

Mandati: deri më 14 qershor 2025

Shef i Misionit: Z. Giovanni Pietro Barbano

Kapaciteti i autorizuar: deri në 396 pjesëtarë të stafit

Selia: Prishtinë, Kosovë

Baza ligjore: Veprimi i Përbashkët i BE-së i muajit shkurt 2008 dhe Vendimet pasuese të Këshillit të qershorit 2010, 2012, 2014, 2016, 2018, 2020, 2021, 2023

EULEX-i mbështetet nga të gjitha 27 Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga pesë shtete kontribuuese (Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Türkiye dhe Shtetet e Bashkuara).