Gratë në sundimin e ligjit

Katrin Gluic – Është në interesin e çdo kujt që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni

01 shkurt 2016

Kur ishte vajzë e vogël në Kroaci, njerëzit shpesh e pyesnin se çfarë do të bëhet kur të rritej. Fare pa u hamendur, ajo do të përgjigjej: “Unë dua të bëhem police”, dhe kështu ajo e ndoqi ëndrrën e saj të fëmijërisë. Katrin është nga Kroacia, ku edhe kishte diplomuar në Akademinë Policore, duke përfunduar edhe studimet master atje. Aktualisht, ajo është duke i vazhduar studimet post-diplomike në Shkencën e Kriminalistikës, në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Zagrebit.

“Gjithmonë është mirë të investosh në dituri. Njeriu është mirë të zgjerojë horizontet e veta për të zotëruar fushat e reja të ekspertizës dhe për të kuptuar se si zhvillohen gjërat. Në mënyrë specifike, një njohuri e hollësishme e ligjit të procedurës penale ndihmon në hetimin e rasteve të ndryshme”, shton ajo.  

Kur filloi punën, patrullimi policor ishte një prej detyrave të saja. Prej aty, ajo vazhdoi me hetimet penale në sektorin e policisë. Sa për të përmendur, ajo ishte marrë me raste të vrasjeve, me shkelësit e mitur, dhe raste të dhunës në familje. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ajo ishte angazhuar në aktivitetet për integrime evropiane dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke përfshirë negociatat për anëtarësim në BE dhe përputhjen me acquis communautaire.

“Kroacia sapo do t’i bashkohej BE-së, dhe kjo ishte faza e detyrave tona të integrimit evropian. Përveç kësaj, unë kam qenë edhe pjesëtare e Njësisë për Krim të organizuar, që funksiononte në kuadër të Policisë së Shtetit për Shtypjen e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ngarkuar për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, në nivel të vendit dhe atë ndërkombëtar.

Katrin Gluic tani është hetuese për krime të rënda në Njësinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në EULEX. Detyrat kryesore të kësaj njësie janë hetimi i krimit të organizuar dhe nivelit të lartë të korrupsionit. Në këtë ekip, Katrin merret me hetimin e të gjitha aspekteve të krimit të organizuar, duke përfshirë korrupsionin, keqpërdorimin e pozitës zyrtare, drogat e palejueshme, armët, etj.

“Puna në vendin tim është e ngjashme me punën që e bëj këtu në Kosovë. Procedura penale është e ngjashme me atë të Kroacisë, dhe kjo më ndihmon shumë”, thekson ajo.

Aktualisht, rreth 40 hetues nga Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar të cilët punojnë ngushtë me kolegët nga Policia e Kosovës janë të angazhuar në hetimin e krimeve të rënda. Për shumicën e këtyre rasteve zhvillohen hetime të përbashkëta.  Këto hetime përbëhen prej një ekipi i hetuesve nga PK-ja dhe EULEX-i, të cilët shkëmbejnë informacion dhe punojnë bashkë nën udhëheqjen e Prokurorit nga PSRK-ja.

“Është shumë e rëndësishme që ne të udhëhiqemi nga prokurori, veçanërisht kur është fjala për mbledhjen e provave për të mbështetur hetimet penale. Ne bashkë me prokurorët e krijojmë një ekip të mirë, dhe kjo na bën të lumtur dhe krenar veçanërisht kur në media shohim storjet për një aktakuzë ose vendim gjyqësor për një rast të përbashkët“, thotë Katrin.

EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë punuar bashkë në disa raste të arrestimeve të të dyshuarve për krim të organizuar të profilit të lartë për vrasje, korrupsion, trafikim të drogave. Disa prej këtyre rasteve ishin po ashtu edhe të natyrës ndërkombëtare, duke përfshirë disa arrestime të njëkohshme nëpër Evropë.

Sipas Katrin, EULEX-i është duke bërë përpjekje të mëdha në punën e vet. “Kur në veçanti bëhet fjalë për hetimet, një mbështetje e pandashme nga institucionet vendëse të sundimit të ligjit është e një rëndësie shumë të lartë”, thotë ajo, duke theksuar se luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit është në interes të çdo kujt.

Katrin është e bindur se nga puna e EULEX-it dhe e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë do të përfitojnë gjeneratat e ardhshme në Kosovë. “Nganjëherë, ka kritika se procesi është shumë i ngadalshëm. Mirëpo, unë besoj se ne po përjetojmë një proces gradual dhe shumë pozitiv ku zyrtarët e EULEX-it po i demonstrojnë praktikat më të mira evropiane. Ata po ndihmojnë në përshtatjen e institucioneve të Kosovës, fuqizimin dhe trimërimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Ne shpresojmë se do të lëmë një trashëgimi pozitive e cila do t’u mundësoj institucioneve vendëse që të vazhdojnë përpara besim dhe transparencë,” përfundon ajo.