Gratë në sundimin e ligjit

Avokimi proaktiv për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut: njihuni me Marianne Fennema

27 shtator 2016

Ofrimi i këshillave juridike për çdo ditë EULEX-it lidhur me çështje të ndryshme, komplekse dhe mjaft të rëndësishme, është pjesë e një dit të zakontë e punës për Marianne Fennema. 

Ajo është në krye të Zyrës për të Drejta të Njeriut dhe për Çështje Ligjore, ZDNJÇL, në Misionin Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë. Zyra përbëhet nga 13 pjesëtarë, të cilët ofrojnë njohuri thelbësore që nuk kanë të bëjnë vetëm me mbikëqyrjen, monitorimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut por, po ashtu, edhe me të siguruarit e respektimit të aspektit ligjor gjatë zbatimit të mandatit dhe të aktiviteteve të misionit. 

Marianne është nga Holanda. Ajo i ka përfunduar studimet evropiane në Amsterdam dhe ka vazhduar studimet e magjistraturës në të drejtën ndërkombëtare në Angli. Ajo ka fituar titullin e avokates në Londër. Si studente në Universitetin e Amsterdamit, Marianne u bë anëtare themeluese e AEGEE, një organizatë studentore mbarë-evropiane e cila përqendrohet në fuqizimin e të rinjve në Evropë për të marrë rol aktiv në shoqëri. Ajo ka punuar për një periudhë kohore në selinë e kësaj organizate në Paris.

Zyra të cilën e drejton Marianne, është përgjegjëse që ta bëjë interpretimin ligjor të mandatit të misionit për udhëheqësit e lartë dhe zyrat tjera të misionit, si edhe të sigurojë zbatimin e aspektit ligjor dhe marrjen parasysh të gjitha ndryshimeve të mandatit të misionit.

Marianne u bë pjesë e misionit tri vjet më parë si pjesë e ZDNJÇL. Por kjo nuk ishte hera e parë që ajo punonte në Kosovë.  Më parë ishte këtu duke punuar në Shtyllën e IV të UNMIK-ut dhe në Zyrën Civile Ndërkombëtare.  

Kur erdhi në Kosovë në fillim në shtator 2004, ajo tashmë kishte pak përvojë në rajon deri sa ishte duke punuar me një kompani amerikane për media e cila shikonte mundësinë për themelimin e stacioneve televizive dhe të radios në Ballkan. Siç thekson Marianne, ajo erdhi në Kosovë dhe “pjesa tjetër dihet”.

Marianne filloi karrierën e saj si avokate për të drejtat e korporatës në një avokaturë të madhe në Londër. Pas diplomimit, ajo e braktisi punën private për të punuar në industrinë e mediave. Deri sa i përfaqësonte investitorët amerikanë në media, ajo jetoi në Lubjanë dhe në Pragë. Pastaj u kthye përsëri në Londër, ku u punësua si juriste për Televizionin Walt Disney. “Kur fillova të punojë atje nuk isha në veçanti ndonjë adhuruese e Disney-it, por ishte vështirë të mos hutoheshe pas magjisë së Disney-t.”, e pranon ajo.

Megjithatë, kur erdhi koha ta ndërrojë magjinë e Walt Disney për aktivitete më reale, ajo vendosi të kthehet përsëri në Kosovë, ku në cilësinë e saj aktuale si Udhëheqëse e ZDNJÇL, Marianne e këshillon misionin lidhur me gjërat thelbësore të sfidave të sundimit të ligjit dhe të qeverisjes.

ZDNJÇL  po ashtu merret me mekanizmin e brendshëm të drejtësisë të misionit. Zyra ofron këshilla për Shefin e Misionit lidhur me çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut, si edhe harton parashtresa për Panelin Shqyrtues për të Drejta të Njeriut, i cili e mbikëqyr përgjegjësinë e jashtme të misionit. 

Por kjo nuk është e tërë puna e zyrës.

 “Zyra jonë i ndihmon gjithë misionit, si divizionit për fuqizim ashtu edhe atij ekzekutiv, lidhur me përmirësimin e gjërave, në mënyrë që veprimet tona të jenë në pajtueshmëri të plotë me të drejtat ndërkombëtare të njeriut. Pajtueshmëria me të drejtat e njeriut duhet të respektohet në të gjitha detyrat tona” sqaron Marianne.  

Një angazhim tjetër shumë i rëndësishëm i zyrës është ndihma juridike dhe interpretimi i ligjeve të hartuara nga Qeveria e Kosovës. Misioni, përmes monitoruesve dhe këshilluesve të tij dhe në ndërlidhje me ZDNJÇL, harton, bashkë-harton, këshillon dhe sugjeron ligje dhe ndryshime të ligjeve për legjislaturën e Kosovës.  Deri më tani, Misioni ka lehtësuar mbi 150 ligje, udhëzime administrative dhe rregullore. Vëmendje e posaçme po ashtu ju kushtohet ligjeve të cilat kanë të bëjnë me mandatin e misionit. 

Marianne ngul këmbë që të gjitha këto detyra nga fusha të ndryshme operative të misionit kërkojnë angazhim të plotë të gjithë zyrës.  Puna në ekip është me rëndësi thelbësore për suksesin e ZDNJÇL.

“Shumë punë duhet të delegohet, por natyrisht unë duhet ta këshillojë personelin në veçanti kur është fjala për çështjet e ndjeshme. Kështu që rutina ime ditore ndryshon kryesisht me shkuarjen në mbledhje, përgjigjen në postën elektronike, mbikëqyrjen e gjërave që i përgatit personeli im si edhe shikimin e produkteve për t’u siguruar që japim këshilla të mira” thekson ajo. 

Sipas Mariannes sfida më e madhe për Kosovën është ndryshimi i mentalitetit të njerëzve dhe që kosovarët ta kuptojnë, që nëse secili kontribuon në mënyrën e vetë mund të arrihet një mundësi më e mirë për të ardhmen e Kosovës. 

Duke ju përmbajtur filozofisë së saj, Marianne është po ashtu duke kontribuuar në ndryshimin e Kosovës në cilësinë e saj personale si vullnetare për organizatën bamirëse, Care for Kosovo Kids. Kjo OJQ ofron barëra për pacientët e rinj në repartin e hematologjisë – onkologjisë të Spitalit Universitar në Prishtinë. Kjo organizatë bamirëse është krijuar para dy vjetëve nga një afariste holandeze, të cilën Marianne e ka takuar rastësisht në aeroplan duke u kthyer në Amsterdam. Gruaja mori vesh për gjendjen e vështirë të fëmijëve të Kosovës, të cilët janë pacientë që vuajnë nga kanceri dhe prindërit e të cilëve nuk kishin mundësi t’i paguanin barërat. Përmes një bordi këshillëdhënës me ndikim në Holandë, mblidhen fonde për t’iu ndihmuar fëmijëve që kanë nevojë. Organizata bamirëse është shumë aktive në ofrimin e kujdesit për pacientët dhe e dobishme për mbështetjen e vazhdueshme të fëmijëve të Kosovës që vuajnë nga kanceri.

Në jetën private, Mariannes i pëlqen ta kalojë kohën me vajzën e saj 10 vjeç, Isabelle, e cila e vijon një shkollë ndërkombëtare në Prishtinë. Fundjavave ato kryesisht dalin të ecin në Rugovë dhe në Brod, duke u kënaqur me natyrën e bukur të Kosovës, me njerëzit dhe me traditat lokale. Marianne përfundon me krenari: “Unë jam idhulli i Isabelles. Asaj i pëlqen ajo që bëj unë. Në veçanti kur është fjala për avokimin e të drejtave të njeriut”.