Gratë në sundimin e ligjit

Femrat në uniformë të kaltër e bëjnë ndryshimin

25 nëntor 2016

Ruajtja e vendit të krimit dhe mbledhja e provave forenzike, qofshin ato gjurmë gishtërinjsh apo gjurmë këpuce, një pjesë floku apo ndonjë fije tjetër, mund të janë vendimtare nëse një kriminel do të shpëtojë apo do të gjykohet për atë vepër. Njihuni me Nënkolonel Florie Hajra, Drejtoreshë e Drejtorisë së Hetimeve Forenzike në Policinë e Kosovës (PK), e cila kujdeset që vendi i krimit dhe hollësitë e imta, të cilat mund të jenë të rëndësishme për hetimin e ndonjë rasti, të analizohen dhe të mblidhen si duhet nga ana e ekipeve, të cilat i menaxhon ajo. 

Nënkolonel Florie Hajra e ka filluar karrierën e saj në forcën policore para shtatëmbëdhjetë viteve, kur kishte vendosur ta ndiqte ëndrrën fëmijërore të saj. Ajo thekson se përkundër faktit se situata e përgjithshme në Kosovë ia pamundësoi asaj që të shkonte në akademinë policore, ajo kishte konkurruar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës “sapo e kuptoi se ata kishin filluar me rekrutimet”.

Floria është lindur dhe rritur në Mitrovicë, ku ka studiuar për Teknologjinë Informatike, edhe pse dëshira e saj për t’u bërë pjesë e policisë nuk u harrua asnjëherë. Dashurinë e saj për policinë e kishte ushqyer edhe më shumë babai i saj, i cili gjithashtu ishte polic. “Të rritesh pranë një babai, i cili e donte dhe e respektonte me shumë pasion punën e tij, më bëri edhe mua të dashurohem në atë punë,“ thotë Floria.

Florie Hajra ka diplomuar në gjeneratën e dytë të Akademisë të Policisë së Kosovës. Rrugëtimi i saj profesional shtatëmbëdhjetëvjeçar në policinë e Kosovës ka nisur me patrullat policore në stacionin policor jugu në Mitrovicë, pastaj në Policinë e Komunitetit, më vonë në hetime dhe përfundimisht si Oficere e Forenzikës për Vendin e Krimit në kuadër të njësisë rajonale për hetime në Mitrovicë.

“Unë e kam nisur punën në patrullat policore, patrullimet në këmbë dhe me automjete. Në atë kohë asgjë nuk dukej e lehtë, dhe vërtetë nuk ishte e lehtë”, sqaron ajo, duke theksuar se femrat police është dashur të punojnë dy herë më shumë për ta dëshmuar veten, “por unë isha dhe vazhdoj të jem krenare që jam në mesin e atyre grave, që i kanë thyer tabutë se ky profesion është vetëm për burra”, sqaron Nënkolonel Hajra.

Qëndrueshmëria, vendosmëria dhe etika e punës së palodhshme drejt arritjes së qëllimeve, ishin forca shtytëse prapa suksesit të saj, për të arritur deri tek pozita drejtuese në kuadër të Policisë së Kosovës. “Unë kam filluar punën me gradën rreshter kurse tani, qe një kohë të gjatë jam nënkolonel dhe Drejtoreshë e Drejtorisë për Hetime Forenzike në PK”.

Drejtoria për Hetime Forenzike në Policinë e Kosovës është një zyrë e specializuar, e cila funksionon në kuadër të Divizionit për Hetimin e Krimeve. Detyrat e kësaj njësie janë kërkimi, gjetja, identifikimi, dokumentimi, mbledhja dhe ekspertiza e gjurmëve të krimit të gjetura në vendin e ngjarjes. Po ashtu, Drejtoria e Forenzikës ofron shërbime tekniko-shkencore për Policinë e Kosovës, Institutin e Forenzikës, gjyqësorin dhe organizatat tjera ligj-zbatuese të vendit dhe ato ndërkombëtare.

Floria e përshkruan punën e saj në Drejtorinë për Hetime Forenzike me shumë pasion, pasi që ajo konsideron se hetuesit e vendit të krimit e luajnë një rol shumë të rëndësishëm gjatë procesit të verifikimit, si dhe kush e ka kryer ndonjë krim, “puna e njësive që unë i drejtoj, është shumë e rëndësishme. Ne mbledhim copëza të vogla për ta ndërtuar rastin dhe kjo është sikur një mozaik, përderisa ne i gjejmë pjesët që mungojnë,“ thotë ajo.

Drejtoria të cilën ajo e udhëheq është shumë e pavarur. Floria është shumë mirënjohëse për bashkëpunimin dhe ndihmën e madhe të ofruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare si UNMIK, KFOR, OSCE, EULEX. “Dëshiroj që personalisht ta falënderoj EULEX-in për mbështetjen e vazhdueshme, qoftë kjo në formën e hetimeve të përbashkëta, ndërtimin e kapaciteteve, e veçanërisht në teknologjinë informative të forenzikës, apo në dhurimin e pajisjeve profesionale për departamentin tonë. Kjo ndihmë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për ne.”

Nënkolonel Hajra njihet gjithashtu për punën e saj si anëtare e këshillit drejtues të Shoqatës së Grave të Policisë së Kosovës, SHGPK. Angazhimi i saj gjatë viteve të kaluara ka qenë promovimi i fuqizimit të grave që punojnë në Policinë e Kosovës. “Gratë e kanë dëshmuar vlerën e tyre, nga pozitat administrative deri te ato operacionale.” vlerëson ajo. SHGPK-ja është formuar në muajin nëntor 2013 me qëllim të fuqizimit të rolit të grave në Policinë e Kosovës. “Synim yni janë femrat e reja në Kosovë dhe ne mbajmë seminare të ndryshme në mbarë regjionin me komunitetet e ndryshme dhe aty përpiqemi të reflektojmë bashkë dhe i inkurajojmë ato që t’i bashkohen forcës policore dhe t’i thyejnë qëndrimet paragjykuese dhe stereotipike, në një rol që zakonisht është konsideruar si karrierë e dominuar nga burrat”.

Përfshirja e Nënkoloneles në AGPK kryesisht ka qenë për t’i fuqizuar gratë në Polici dhe që barazinë gjinore ta bëjë pjesë përbërëse të suksesit të saj. “Me gjithë që Policia e Kosovës është e përkushtuar  tërësisht për barazi gjinore, kjo forcë në përbërjen e saj ka më pak se 15% femra, prej të cilave 12% janë police që shërbejnë në funksione të ndryshme për zbatimin e ligjit. Po ashtu, nga to vetëm një numër i vogël janë në grada të larta; nëntë police mbajnë grada mbi atë të majorit dhe kjo tregon se ne i kemi arritur disa rezultate, por duhet të bëhet edhe shumë më shumë,” sqaron ajo.

Florie Hajra është ajo që kurrë nuk pushon së mësuari. Ajo beson se njeriu gjithmonë mund të mësojë  diçka të re dhe pastaj ta përmirësojë punën. Ajo tani është duke i vijuar studimet e magjistraturës për të drejtën ndërkombëtare pranë Universitetit të Prishtinës, ndërsa në kohën e saj të lirë mezi pret ta shijojë adrenalinën, që i sjell paraglajdimi (fluturimi me parashutë), pasi është edhe anëtare e Klubit të Paraglajdimit Trepça në Mitrovicë.