Gratë në sundimin e ligjit

Hetuesja me dell – njihuni me Cindy Syes

01 gusht 2017

Ashtu siç kishte bërë çdo ditë gjatë njëzet viteve të kaluara, hetuesja Cindy Syes hyri në zyrën e saj në Departamentin e Policisë së Teksasit në qytetin e Dallasit. Por, kësaj radhe, në muajin shkurt 2007, ajo ishte me të vërtetë e hutuar. Kolegët e saj e përshëndetën me brohoritje, përqafime dhe duartrokitje: hetuesja Syes po e kremtonte pensionimin e saj nga shërbimi policor. Sidoqoftë, ajo as që e kishte idenë se së shpejti do të fillonte një karrierë të re me shumë mundësi dhe aventura.

Pas pensionimit të saj nga shërbimi si hetuese, Cindy për një kohë të shkurtë i aplikoi shkathtësitë e saj prej hetueses në Drejtorinë e shkollave të Virgjinias në qytetin Norfolk, ku punoi si Koordinatore e lartë dhe ishte e ngarkuar që t’i hetojë ankesat e bëra ndaj mësimdhënësve dhe nxënësve. Për shkak të një urgjence familjare kjo detyrë nuk i zgjati shumë, por në janar 2009, ajo do të nisej për në shërbimin e parë prej gjithsej tre syresh në Afganistan si Këshilltare në Njësitë për Mbrojtje në Familje duke i udhëzuar hetueset femra që caktoheshin për rastet e dhunës në familje. Përgjatë shërbimeve të saj në Afganistan, ajo ishte caktuar në Akademinë Policore për Femra dhe ishte këshilltare e lartë e femrës me gradën më të lartë të gjeneralit, Gjeneral Brigade Sharifa. Më pas ajo do të shkonte atje sërish në vitin 2013 deri në 2014 kur ishte caktuar Këshilltare e Lartë Gjinore e Drejtorit të Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Gjinore në Shërbimin Korrektues të Afganistanit. Hetuesja Syes ka punuar gjithashtu për Departamentin e Shtetit si Këshilltare e Lartë për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Gjinore në Irak prej vitit 2011 deri në 2013.

Pasi kishte qenë në vende të ndryshme të botës, kulmi i karrierës së saj në pozita të ndryshme e kishte bërë hetuesen Syes një kandidate të përkryer për të punuar në EULEX si Këshilltare në Policinë e Kosovës për Dhunën Seksuale dhe të Bazuar në Gjini. Duke e shfrytëzuar përvojën e saj shumëvjeçare nga vende të ndryshme, detyra e saj është që të organizojë seminare jo vetëm për t’i mësuar Policisë së Kosovës dhe Prokurorëve se si t’i përdorin përcaktorët forenzik të raporte, por po ashtu t’i aftësojë ata që t’i përkrahin më mirë viktimat. “Unë dëshiroj ta përmirësoj mënyrën e komunikimit dhe gjuhën e përdorur në shërbim të viktimave dhe të punoj me kolegët vendas që ta krijojmë një plan mbështetës më gjithëpërfshirës. Ne duhet t’i mbrojmë dhe mbështesim viktimat.”, thekson ajo.  Qëllimi i Cindyt është që të promovohet vetëdijesimi i opinionit për femrat viktima duke ofruar informata lidhur me pikat ekontaktit dhe mënyrën se si mund t’i përmirësojë policia shërbimet e saj në këtë fushë.

Cindy Syes punon në EULEX prej muajit mars 2017. Në këtë cilësi, ajo e këshillon Policinë e Kosovës për hetimet në baza gjinore duke biseduar me të gjithë individët, institucionet dhe OJQ-të e nevojshme  për t’i mbështetur viktimat pasi të ketë ndodhur ndonjë vepër, si dhe t’i mbrojë pjesëtarët e shoqërisë që janë në rrezik. Syes thotë, “Unë i vizitoj strehimoret, shkruaj raporte dhe bëj rekomandim për ta mbështetur Policinë e Kosovës dhe për të siguruar që ata ta përcjellin dhe plotësojnë fokusin gjinor të EULEX-it.” Ajo vazhdon më tej, “Po ashtu, unë punoj me OJQ-të lokale për t’i përkrahur strehimoret për gra ku ato mund të shkojnë përkohësisht për ta larguar veten e tyre nga situatat e dhunës në familje.”

Shumë prej përgjegjësive të saj në EULEX janë të ngjashme me ato të punës së saj të mëhershme si police dhe punës me komunitetet lokale. Ajo luan shumë role dhe bashkërendon me Policinë e Kosovës për të siguruar që ata ta zbatojnë strategjinë e dalë nga mandati, mes tjerash, përkitazi me komunitetin LGBT.  “Dëshira ime e flaktë është vënia e drejtësisë lidhur me rastet e dhunës seksuale, gjinore dhe në familje.  Përpara vetes kemi një rrugë të gjatë për t’i luftuar këto çështje në botë.  Shumëçka është e shkruar nëpër dokumente, por zbatimi i tyre është një gjë krejt tjetër.  Ne duhet të vazhdojmë që ta adresojmë dhunën dhe ta ngremë zërin për ata që nuk guxojnë të flasin”, bën me dije ajo.   “Sikur edhe në vendet tjera ku kam qenë, nëse mund të ndihmoj në aftësitë e Policisë së Kosovës lidhur me hetimin, arrestimet dhe ndjekjen e këtyre veprave, atëherë mund të them se kam arritur të bëj diçka”, thotë ajo.

Nga mënyra se si është edukuar hetuesja Syes shihet qartë se si ka arritur ajo deri te EULEX-i. Babai i saj ishte një marins (ushtarak) karriere i SHBA-ve ndërsa nëna e saj punonte si asistente në Universitetin Tregtar A&M të Teksasit në Dallas. Cindy thotë, “Prindërit e mi kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë tërë jetës sime, duke më mësuar të jem e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë e jo të lëshohem në dukuri negative.  Disa pjesë të punës janë të vështira, por kur më kujtohen këshillat e prindërve të mi motivohem që t’i ndihmoj të tjerët.”

Pasi ka diplomuar në shkollën e lartë Battery Creek në Beaufort, Karolina e Jugut, ajo vijoi në Universitetin Shtetëror të Tenesit, ku diplomoi në vitin 1985. Duke qëndruar fort dhe me vetëbesim,  Syes tregon që ishte një atlete gjatë gjithë jetës së saj si dhe për mënyrën se si e ka përfshirë disiplinën e cila e ka mësuar të jetë stabile në jetë, veçanërisht nga mësimet në shkollën e lartë dhe nga ish-trajneri i saj i shtigjeve olimpike, Edward Temple. Mbajtja dhe promovimi i një stili jetësor të shëndetshëm ka qenë gjithmonë gjëja themelore për të. Pas diplomimit në USHT, Cindy kaloi në karrierën e saj si police në Dallas, Teksas. “E gjitha filloi në formë të një basti/sfide. Një mik i mirë imi më thotë se unë nuk do të mund të bëhesha pjesë e forcës policore sepse isha femër. Unë isha e vendosur që t’ua dëshmoja të kundërtën,” thotë Syes. “Në atë kohë trajnimi ishte i vështirë dhe nga femrat pritej që të bënin të njëjtat gjëra si meshkujt pa dallim. “Unë jam krenare që e përfundova dhe u diplomova nga Akademia e Dallasit,” thotë ajo.

Detyra e parë e saj ishte patrullimi në Dallas.  Më pas kaloi në policimin në komunitet duke punuar në lagjet e banimit me të ardhura më të vogla në Dallas. Pjesë të detyrave të saj ishin puna me familjet nëpërmjet shumë aktiviteteve të ndryshme të orientuara në komunitetin, si dhe luftimin e krimit.  “Shumë familje që jetonin në atë zonë nuk kishin mundësi të shpreheshin dhe të dëgjohej zëri i tyre, kurse grupi i policëve më të cilët punoja unë me kënaqësi bëheshim zëri i tyre i munguar.  Unë jam krenare për punën të cilën e kemi bërë dhe të cilën po vazhdojnë ta bëjnë kolegët e mi në fushën e policimit në komunitet.”

Ajo e kishte të shkruar të ishte e suksesshme pasi ishte në vendin dhe kohën e duhur, si dhe duke i bërë disa arrestime të rëndësishme gjatë karrierës së saj. Një prej këtyre arrestimeve kishte të bënte me shpartallimin e një bande të grabitësve të armatosur të cilët po i grabisnin bankat për muaj të tërë. “Pasi e kishte bërë njërën prej grabitjeve ky grup, automjeti  të cilin po e drejtonte udhëheqësi i këtij grupi kaloi përpara meje dhe pas një ndjekje të shkurtë dhe me ndihmën e kolegëve dhe njësisë SWAT i kapëm të gjithë pa ndonjë incident.”

Gjashtë muaj që nga ardhja e saj në EULEX, Cindy thotë se deri më tani asaj i ka pëlqyer më së shumti Prishtina. Asaj i pëlqen flladi i verës, vera dhe populli i Kosovës. “Të gjithë janë jashtëzakonisht miqësorë dhe të gatshëm të ndihmojnë. Kosova ka shumë për t’i ofruar qytetarëve të saj dhe ka potencial shumë të madh.” Puna e saj e çon atë anekënd Kosovës duke i vizituar të gjitha regjionet në tërë vendin.  “Mua më ka pëlqyer secili vend që e kam vizituar, kurse ushqimi këtu është i mahnitshëm.  Unë e kisha privilegjin që të ndihmoja me rastin e organizimit të turneut bamirës me biçikleta për gratë dhe fëmijët duke udhëtuar në një kombi-bus (jo, jo, jo me biçikletë) i cili organizohet çdo vit nga mbikëqyrësi im Mark Dixon. Bjeshkët dhe zonat nëpër të cilat udhëtuam të linin pa frymë.  Më duhet t’i përgëzoj çiklistët sepse bjeshkët ishin mjaft të rrëpirëta, por punë që ia vlente.”

Duke qenë fëmijë i një ish marinsi, prindërit e saj u dhuruan vajzave të tyre ndjenjën për ta shijuar jetën, të takojnë njerëz të ri dhe të udhëtojnë.  “Ne kemi shkuar me pushime për çdo vit, prandaj duke qëndruar nëpër qytete të ndryshme kisha mundësi të takoj njerëz të mrekullueshëm nga e mbarë bota.  Kjo më ka ndihmuar që t’i krijoj bindjet dhe vlerat e mia duke i respektuar kulturat e ndryshme.” 

Jeta jashtë vendit i ka mundësuar Cindyt që të njihet me shumë vende, njerëz dhe kultura të ndryshme për të cilat të tjerët vetëm kanë mundur të lexojnë apo të ëndërrojnë.  Njohuritë, informatat dhe përvojat e dorës së parë janë kryesoret për Cindyn: ajo thotë se me libra nuk mund t’i kuptosh të gjithat. Për shembull, derisa ishte në Afganistan, ajo jetonte brenda kampit dhe lëvizjet e vetme të saj ishin nga kampi për në punë.  Por, kur u stacionua në Bamiyan, Afganistan, ajo jetoi pranë rrënojave antike të Bamiyanit, ku gjatë luftës ishin shkatërruar statujat e Budës. Ajo e vizitoi Kështjellën e Kuqe dhe liqenin e shenjtë Band-e Amir.  Udhëtimet e saj e dërguan atë edhe më larg si në Irak, Afrikë dhe Aman në Jordani, ku i vizitoi lumin Jordan dhe qytetin Petra.

Kur jeton jashtë vendit natyrisht që i mungon vendlindja. Largësia nga familja dhe miqtë ndonjëherë bëhet e vështirë, por për Cyndin gjërat bëhen më pak të vështira sepse i shfrytëzon Skype-in, Facebook-un dhe format tjera të komunikimit. “Kontakti me më të afërmit është gjithmonë i rëndësishëm, ndërsa nuk kalon ditë pa biseduar me familjen time. Kur jam në shtëpi unë kaloj kohën me nënën time, djalin tim më të ri dhe me miqtë. Shpesh shkoj në Nashville Tennessee për ta vizituar djalin e madh dhe familjen e tij. Unë kënaqem me dy mbesat e mija dhe në bisedat me miqtë e mi dhe me shoqet e shoqërisë studentore Delta Sigma Theta.  Gjatë kohës së lirë më pëlqen të lexoj, vrapoj, stërvitem dhe të dal me shoqëri.”