Fillimi  BreadCrumbTrailerQendra informuese për çështje gjinore  BreadCrumbTrailerGratë në drejtësi  BreadCrumbTrailerThyerja e heshtjes: Feride Rushiti flet për dy...

Thyerja e heshtjes: Feride Rushiti flet për dy dekada të punës me të mbijetuarit e torturës

01 shkurt

Jeta ndodh ndërsa ne jemi të zënë duke bërë plane. Ashtu të paktën na është thënë. Kurse jeta ndonjëherë ka plane më të mëdha për ne. I tillë ishte rrugëtimi i Feride Rushitit deri sa u bë njëra prej grave kosovare kryesore prijëse në trajtimin e një prej çështjeve më të ndjeshme: rehabilitimin e viktimave të cilat i kanë mbijetuar llojeve të ndryshme të torturës, në veçanti të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë. E gjitha filloi në fund të viteve të 90-ta, kur Feridja ishte pranë përfundimit të studimeve të saj për mjekësi dhe pritej që pas kësaj të bëhej gastro-enterologe. Gjatë konfliktit të viteve 1998-99 në Kosovë, Feridja filloi të punonte në njërin prej kampeve të refugjatëve në Shqipëri, ku ajo ndihmonte në shpërndarjen e barnave qytetarëve të Kosovës që ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe gjatë asaj kohe ishin strehuar në kampet e refugjatëve në Shqipëri.

Gjatë kësaj kohe, ajo pati rastin që të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me gra dhe burra që ishin të mbijetuar të torturës. "Janë historitë e tmerrshme të cilat i kam dëgjuar dhe parë gjatë atyre ditëve që më bënë t’i ndryshoja plotësisht qëllimet e mija jetësore dhe atë që doja të bëja. Pikërisht këtu vendosa të largohesha nga aspiratat dhe planet e mia për karrierë si mjeke dhe të bëhesha zëri i viktimave që i kishin mbijetuar këtyre torturave të tmerrshme", kujton Feridja dhe i përloten sytë. "Asnjëherë nuk jam penduar për këtë vendim. Qëndroj prapa vendimit tim për t’i ndihmuar gratë që kanë pasur fatin për t’i mbijetuar torturës".

"Në Shtator të vitit 1999 e kam themeluar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) së bashku me ekipin tim të aktivistëve të tjerë. Ne kemi dashur të krijojmë një vend të sigurt për personat që kanë pësuar lloje të ndryshme të torturës, një mjedis besimi ku viktimat do të mund të ishin të sigurta dhe ku ato do të ishin në gjendje që t’i tregonin historitë e tyre. Kur vendosëm ta themelojmë qendrën, nuk ishim në dijeni se sa sfiduese do të ishte që ta zhvillojmë këtë institucion. Megjithatë, me kalimin e kohës kemi krijuar një ekip profesional që siguron që viktimat të marrin trajtim psiko-social, si dhe trajtim mjekësor kur është e nevojshme. Gjatë gjithë këtyre viteve, unë kam mundur të shoh rezultate të prekshme të punës sonë, gjë që më jep më shumë energji për të ecur përpara", vazhdon Feridja.

QKRMT është organizata e parë në Kosovë që e ka përdorë nocionin dhe mundësinë e trajtimit psiko-social. Kjo ishte një sfidë në vete. "Të afruarit me komunitetin dhe shpjegimi i ekzistencës së këtij lloji të trajtimi ishte e ndjeshme dhe duhej të ishim të kujdesshëm. Qendra jonë përgatiti broshura informuese përmes së cilave ua shpjegonim njerëzve se si ata mund t’i identifikonin llojet e traumave të tyre në bazë të llojeve të ndryshme të ndryshimeve në sjellje dhe reagimeve. Kjo ishte koha kur ne arritëm që t’i identifikonim grupet tona të synuara dhe e filluam punën me to. Në të njëjtën kohë, ne i koordinuam metodat tona të trajtimit me institucionet ekzistuese dhe ende të brishta të qendrave të mjekësisë familjare për ta ngritur nevojën për trajtimin e traumave psikologjike të viktimave të mbijetuara", shpjegon Feridja.

Në fakt, ajo ishte një nga mjekët e parë që u shndërruan në aktivistë për ta pranuar nevojën për trajtimin e traumave psikologjike për refugjatët që iknin nga dhuna, veçanërisht në mesin e grave dhe grupeve minoritare. Ajo e filloi një qasje unike shumë-disiplinore për t'i trajtuar nevojat e viktimave të torturës, ku ajo e parashikoi qasjen e organizatës së saj për të ofruar mbështetje psiko-sociale, ndihmë juridike, trajtim mjekësor dhe avokim për politika. Kjo qasje u mundësua përmes rrjeteve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe kurseve të shumta të trajnimit në të cilat mori pjesë ekipi i kësaj qendre në mënyrë që të sigurohej që personave në nevojë t’u ofrohej lloji i duhur i ndihmës.

"Deri sa merrnin pjesë në konferenca të ndryshme të kësaj natyre, viktimat e Kroacisë, Bosnjës, Ugandës, Ruandës etj. janë përmendur vazhdimisht. Por, Kosova nuk ishte askund në këtë hartë. Këtu ne e vumë re nevojën për dokumentimin e rasteve të torturës si dhe të bënim hulumtime për t’i dëshmuar rastet e ndryshme ashtu që këto të dhëna të mund të ndërkombëtarizoheshin dhe të prezantoheshin tek organizatat dhe partnerët tanë të rrjetit ndërkombëtar. Pra, tani një pjesë kryesore e punës së Qendrës tonë është puna jonë kërkimore dhe në dokumentim, e cila me të vërtetë e ndihmoi Kosovën që të zë vend në këtë hartë kur bëhet fjalë për identifikimin dhe dokumentimin e historive të mbijetuarve të torturës", shpjegon Feride, duke shtuar se krimet seksuale janë trajtuar si një tabu në shoqërinë tonë të brishtë pas konfliktit.

"Ne jemi të vdekur në mesin e të gjallëve", ishte përshkrimi më i zakonshëm që viktimat ia bënin vetes, kujton Feridja. Kjo për shkak se mbështetjen të cilën e donin dhe e cila ishte shumë e nevojshme për ta nuk e kishin gjetur askund – as në gjirin familjar, as në shoqëri dhe as në institucionet përkatëse.

Sfida fillestare më e madhe që duhej kapërcyer ishte ajo me institucionet qeveritare, të cilat kishin tendencë që t'i trajtonin këto viktima duke miratuar ligje të veçanta. Në këtë situatë ka ndërhyrë Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës duke lobuar dhe këmbëngulur që krimet seksuale të trajtoheshin me anë të Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, në mënyrë të paanshme nga llojet e tjera të krimeve të kryera gjatë konfliktit në Kosovë. Avokimi i QKRMT-së dha rezultate duke sjellë ndryshimin e ligjit të sipërpërmendur në mars të vitit 2014, me ç’rast viktimat e krimeve seksuale u përfshinë në këtë ligj. Kjo u pasua me krijimin i mekanizmave dytësorë për ta siguruar zbatimin e ligjit, ku organizata e Ferides pati rol aktiv.

Këta hapa të rëndësishëm gjithashtu kanë rezultuar me një fond pensional që u krijua për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë. Që nga hyrja në fuqi e ligjit, pesëqind persona janë paraqitur për ta kërkuar statusin e të mbijetuari të dhunës seksuale. Këto kërkesa më pas janë vlerësuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë konfliktit – i krijuar për këtë qëllim, duke siguruar një mekanizëm adekuat për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit. 20 vite të punës avokuese në mbështetje të mbijetuarve të dhunës seksuale e ka vendosur këtë Qendër në hartën globale, gjë që është pranuar ndërkombëtarisht si një histori suksesi nga "Lëvizja globale e të mbijetuarve të dhunës seksuale", një fondacion i udhëhequr mjeku kongolez i njohur në tërë botën, aktivisti dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Dr. Denis Mukwege. Me selinë kryesore të saj në Hagë, kjo lëvizje i mbështet të mbijetuarit dhe e përdor avokimin kombëtar dhe ndërkombëtar për të arritur ndryshime të qëndrueshme dhe sistematike. Në këtë vijë, puna dhe avokimi i QKRMT-së është duke vepruar si pjesë e mekanizmit shtetëror për të nxitur dhe kontribuar në arritjen e ndryshimeve sistematike për këtë grup të cenueshëm dhe të ndjeshëm të shoqërisë kosovare.

Këto ndryshime të mëdha të ngjarjeve, sfidave dhe rezultateve të dukshme kanë sjellë deri tek një pikë kthese në jetën e Ferides – si personalisht ashtu edhe profesionalisht. Vitin e kaluar ajo u nderua nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara me Çmimin Ndërkombëtar për Gratë Guximtare, i cili përkoi në mënyrë të përkryer me vendimin historik të Qeverisë së Kosovës për dhënien e pensioneve viktimave të dhunës seksuale të kohës së luftës. Ajo ishte në mesin e dhjetë grave të botës që u nominuan dhe e fituan këtë çmim prestigjioz.

Kur e mori lajmin nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, Feridja s’kishte si të mos i mendonte brenda një sekonde të vetme të gjitha kujtimet dhe momentet vendimtare të njëzet viteve të kaluara të cilat e sollën deri në këtë ditë. "Mendova për momentet kur unë kisha qarë bashkë me gratë që treguan histori të tmerrshme ... Mendova për sfidat me të cilat u ballafaquam si organizatë dhe si shoqëri për të sjellë sado pak drejtësi për viktimat e dhunës seksuale ..." kujton ajo.

Udhëtimi, përvoja dhe ceremonia në Uashington ishte gjithashtu e paçmueshme. Feridja na tregon se të gjitha nëntë gratë e tjera me të cilat u takua ajo vinin prej vendeve të ndryshme të botës. Secila prej tyre ishte e ndryshme dhe vinin nga kategori të ndryshme, tregonin histori krejtësisht të ndryshme të guximit, por të gjitha e kishin një gjë të përbashkët - një vullnet jashtëzakonisht të fuqishëm dhe pasion për ndryshim.

As pjesa tjetër e këtij udhëtimi pune në SHBA nuk ishte më pak e veçantë, Feridja e vizitoi shtetin e Floridës ku bashkëpunoi ngushtë me përfaqësuesit e shoqërisë civile për të mësuar praktikat më të mira se si ky komunitet i rëndësishëm ndikon në bërjen e politikave dhe ndryshimin e politikave në nivel lokal dhe federal.

Duke e lënë anash për një moment historinë jetës profesionale të saj, Feridja edhe një herë kthehet mbrapa në kohë dhe e prek pjesën pasionante humanitare të personalitetit të saj, duke treguar se si ajo kishte bërë bishtaleca me flokët e vajzave të reja dhe u kishte kënduar, si pjesë e procesit të rehabilitimit emocional të cilin ato e kishin filluar gjatë eksodit nga Kosova.

Ndërsa bisedës sonë të gjatë, të këndshme dhe emocionale i vjen fundi, Feridja ndalet për një sekondë nga jeta e saj e punës për të na treguar se gatimi në shtëpi për të dashurit e saj është mënyra se si ajo e gjen çlodhjen për vete.

Megjithatë, asaj qetësinë ia dhuron fakti se është nënë e dy vajzave të reja. Mund të thuhet se nuk është rastësi që gratë e jashtëzakonshme, si Feridja, i rrisin femrat udhëheqëse të së ardhmes në këtë botë dinamike.
 

Prapa