Më shumë për Multimedia ...

Më shumë për Multimedia ...

Fjala e zj. Alexandra Papadopoulou në Konferencën për sigurinë e gazetarëve të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë

14 shkurt 2017

Gazetarët i mbledhin informacionet dhe i hetojnë faktet në mënyrë që ta përgatisin raportin ku e rrëfejnë ngjarjen. Këto raporte kanë për qëllim që: t’i informojnë njerëzit ashtu që ata ta kontrollojnë qeverinë e tyre dhe vendimet e marra në emër të tyre, si dhe të marrin vendime të rëndësishme lidhur me jetën e tyre dhe se në çfarë shoqërie dëshirojnë të jetojnë. Liria e shtypit është një parakusht i rëndësishëm për mediat që ta marrin rolin e kujdestarit për punën e autoriteteve.

Mediat e lira, pluraliste, të gjalla dhe të pavarura janë parakushti për qeverisjen e mirë. Masa e lirisë për të shkruar, hulumtuar, për ta përgatitur raportin është masa e lirisë tonë. Qytetarët e informuar janë në gjendje të marrin vendime politike të duhura për mënyrën se si dëshirojnë ata ta organizojnë jetën politike të tyre. Pluralizmi i shtypit është një prej elementëve kryesorë i pluralizmit të vendimeve politike. Mediat e pavarura janë ura që i ndihmon shoqërisë që të kalojë nga roli pasiv qytetar në një aktor dinamik në procesin e vendim marrjes.

Megjithatë, një prej sfidave më të mëdha për funksionimin e gazetarisë është frika: frika nga ndëshkimet, dënimi, burgimi, vdekja. Dhuna kundër gazetarëve dhe mosndëshkimi i atyre që e kryejnë atë janë dy kërcënimet më të mëdha ndaj lirisë së mediave në botën tonë të sotme dhe jo vetëm në Ballkan. Për ta ushtruar funksionin e shtyllës së katërt (gazetarisë), gazetarët nuk mund të punojnë në një atmosferë frike.

Liria e mediave është një tregues simbolik dhe i matshëm i cilësisë së demokracisë në shoqëritë ku jetojmë ne. Ne asnjëherë nuk duhet ta marrim këtë liri për të qenë. Ajo duhet ë mbrohet vazhdimisht dhe fuqishëm gjatë gjithë jetës sonë. Pa të, zërat e qytetarëve do të margjinalizohen. Pa të, liria e qytetarëve do të kufizohet.