Lajme

EULEX-i mundësoi tryezën e rrumbullakët për mbështetjen e viktimave të mitura të trafikimit me qenie njerëzore

19 maj 2022

Me 19 maj, si pjesë e angazhimit për fuqizimin e reagimit të drejtësisë kosovare kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe kundër dhunës në baza gjinore, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) mbështeti tryezën e rrumbullakët “Qasja institucionale për mbështetjen dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat e mitura të trafikimit me qenie njerëzore”, e cila u organizua nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale (QPS) dhe Instituti për Zhvillim të Politikave Sociale.

Në Kosovë, viktimat e mitura të moshës 14 deri 16 vjeçare janë më të prekurat nga trafikimi me qenie njerëzore. Tryeza e rrumbullakët iu dha mundësinë punonjësve të QPS-ve të cilët merren çdo ditë me raste si këto të shkëmbenin pikëpamje me përfaqësues nga institucionet e Kosovës për përmirësimin e qasjes shumëpalëshe për parandalimin e këtij abuzimi kaq të rëndë dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe për mbrojtjen, mbështetjen dhe ofrimin e sigurisë për viktimat e mitura, në pajtim me Strategjinë kombëtare kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Gjatë tryezës së rrumbullakët, pjesëmarrësit theksuan sfidat e shumta në të cilat hasin gjatë punës me këtë fenomen.

Kryesuesi i Lidhjes së QPS-ve, Blerim Shabani, e theksoi problemin e shfaqur nga mungesa e burimeve financiare, teknike dhe e burimeve njerëzore, me fokus të caktuar tek mungesa e psikologëve të licensuar, të cilët luajnë rol themelor në ndihmën dhënë viktimave të abuzimit.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për hetimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, Fehmi Xhata, e theksoi rëndësinë e fuqizimit të bashkërendimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës, si policia dhe prokuroria, dhe shoqërisë civile dhe mediave.

Xhata nënvizojë rolin e mediave në sensibilizimin për këtë çështje, krahas rëndësisë së informimit të të rinjve, duke i rikujtuar fushatat e organizuara së fundmi nga institucionet e Kosovës për gazetarë dhe shkollat e larta në mbarë Kosovën.