Gratë në sundimin e ligjit

Nga Kosova në Ramallah - Njoftohuni me Sandra Gudaityte

04 shtator 2017

Kur sfidat e jetës afrojnë, shumë do të jenë të preokupuar me frikë dhe shqetësime. Por krejt çka zyrtarja ligjore në EULEX Sandra Gudaityte ka në mendje është vetëm Trouble. Trouble është macja të cilën e ka adoptuar nga rruga dhe ajo do ta shoqërojë javën që vije nga Kosova në Ramallah, ku Sandra pritet të nisë një hap të ri në karrierë. Frika e vetme që e përcjellë gjersa përgatitet të largohet nga Kosova është se si në fund do ta pranojë para pronarit të shtëpisë se macja Trouble ia ka grisur divanin me kthetrat e saj.

Pas një viti e gjysmë me EULEX-in, Sandra tani niset për në Zyrën Bashkërenduese të BE-së për Mbështetjen e Policisë Palestineze (EUPOL COPPS) në Ramallah. E entuziazmuar për të ardhmen, ajo kujton kohën e kaluar në Prishtinë, punën në EULEX dhe rrugën që e solli në Kosovë.

Sandra kishte shumë punë në Gjykatën Supreme dhe Gjykatën e Apelit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë. Si zyrtare ligjore, puna e saj kishte të bënte me shqyrtimin e rasteve dhe apeleve që paraqiteshin para saj, kërkimin e zbrazëtirave apo mospërputhjeve nëpër aktgjykime, hartimin e opinioneve ligjore dhe këshillimin e gjyqtarëve rreth rrugës së duhur që duhej ndjekur. Kjo punë i është përshtatur në mënyrë të përsosur Sandrës, meqë ajo kishte pasion të mësojë rreth sistemeve të reja të drejtësisë penale, nga sistemi në vendin e saj në Lituani, deri tek sistemi penal ndërkombëtar, legjislacioni i Kosovës, dhe shumë shpejt, edhe legjislacioni penal palestinez. Ajo pa hezitim tregon se çka i pëlqen më së shumti në lidhje me punën: ‘Për mua rastet më interesante janë rastet që ndërlidhen me krimet e luftës dhe rastet e korrupsionit, rastet më të rënda për të cilat EULEX-i ka juridiksion’, thotë ajo. Dhe ajo ka shumë punë për të bërë. Në Gjykatën e Apelit ka shumë raste të temave të llojllojshme, asnjëherë nuk pushon të qenit interesant. ‘Të punosh me raste të tilla nganjëherë di të jetë e vështirë’, thotë ajo. ‘Gjërat që lexojmë janë tejet të ndjeshme, dhe mund të jenë mjaftë shqetësuese. Nganjëherë brengosem në mos bëhem më pak e mëshirshme, e më shumë cinike. Por kjo nuk më ka ndalur dashurinë për punën!’

Megjithatë, kohën në Kosovë Sandra nuk e ka kaluar gjithnjë e ulur në zyrë duke bërë hulumtime apo duke shkruar ankesa. Kur erdhi në Kosovë për herë të parë para tri vite e gjysmë, ajo punonte si Zyrtare e Operacioneve në Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), si Udhëheqëse e Njësisë në Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP). E angazhuar në lidhje me dëbimet, Sandra gjithnjë ishte nëpër teren: angazhimet e drejtpërdrejta me njerëz dhe të qenit jashtë zyrës për pothuajse çdo ditë ishte përvojë sfiduese, por edhe emocionuese për një zyrtare ligjore. ‘Gjatë kohës sa punoja në lidhje me dëbimet në AKP, tërësisht isha jashtë rehatisë sime’, thotë ajo. ‘Por këtu kam përvetësuar shumë aftësi të cilat nuk kisha mundur t’i përvetësoja gjëkundi. Në veçanti, puna me policinë e vendit më ka përmirësuar dukshëm aftësitë për zgjidhjen e konflikteve. Kjo është arsyeja pse gjithçka u shpërblye, mundësia për t’u angazhuar me lloje të ndryshme të njerëzve.’

Kalimi në EULEX iu ka përshtatur shijeve akademike të Sandrës pak më shumë, megjithatë. Ajo e nisi karrierën e saj juridike me një diplomë të studimeve masters nga vendlindja e saj në Lituani. ‘Unë i hyra studimeve për të drejtën penale ndërkombëtare pothuajse krejt rastësisht,’ shpjegon ajo. Në vend se të punoja si juriste në vendin e saj, ajo ishte e përcaktuar që të kërkonte sfida të reja, të studionte në Belgjikë, Holandë, dhe Korenë e Veriut, për të përfunduar studime profesionale në drejtimin e së drejtës ndërkombëtare. Pas muajsh përkushtimi në punë si praktikante në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, Sandra ishte e sigurt se ajo donte të ndiqte karrierë ndërkombëtare, dhe pati mundësinë që të punësohej në një pozitë me orar të plotë atje. ‘Puna në Gjykatën Ndërkombëtare Penale ishte e arritur shumë e madhe për mua. Një pjesë e imja do të donte të kthehesha prapë atje, por pasi që jetova në Kosovë dhe së shpejti në Ramallah, kam një ndjenjë se Haga mund të jenë paksa e mërzitshme për mua!’

Lëvizja e ardhshme në karrierën e Sandrës do të jetë puna si këshilltare ligjore në kuadër të EUPOL COPPS. Roli i saj do të jetë i orientuar drejt monitorimit dhe këshillimit të policisë dhe gjyqësorit, si dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes autoriteteve ligjore izraelite dhe palestineze. ‘Përvojat e mia në EULEX dhe AKP me të vërtetë më kanë përgatitur për këtë rol, dhe jam e gatshme që ato t’i marr me vete në Ramallah.’

‘Institucionet e vendit të cilave ne iu ndihmojmë këtu çdo ditë janë duke u përmirësuar dhe fuqizuar, ka arsye pse EULEX-i është duke u reduktuar,’ komenton ajo. Sandrës i ka pëlqyer puna brenda gjyqësorit të Kosovës, në veçanti mundësia për të parë përmbylljen e rasteve në të cilat ajo ka punuar. Ndjente ndikimin e vërtetë të punës që bënte. Po ashtu ndihej jashtëzakonisht e kënaqur që nga puna e saj si zyrtare ligjore në EULEX jepte rezultate të matshme. ‘Unë i kam përmirësuar njohuritë e mia në fushën juridike dhe kam mësuar se si të punoj nën presion, në veçanti nga shqyrtimi i një numri tejet të madh të rasteve në Pallatin e Drejtësisë. Aftësitë që i kam përvetësuar gjatë punës në një mjedis me lëvizje të shpejta siç është EULEX-i janë të paçmueshme.’ Kjo është koha e përsosur që ajo të shkojë më tutje në një mision të ri me sfida të reja duke marrë me vete çdo gjë që ka mësuar. ‘Për një zyrtare ligjore në veçanti, Ramallahi do të jetë qytet fascionues për të punuar.’

Një aspekt të karrierës së saj në Kosovë që e kujton me krenari është puna me gjyqtarët vendorë. Bashkëpunimi me ta ishte pjesë jashtëzakonisht pozitive e punës së saj në Pallatin e Drejtësisë. Sandrës është ndjerë mirë që asnjëherë nuk ka qenë e caktuar për vetëm një gjykatës, por ka pasur mundësinë që të punonte me shumë prej tyre. ‘Është me të vërtetë interesante të shohësh se si gjyqtarët e ndryshëm punojnë dhe angazhohen për raste, dhe se si personalitetet dhe metodat e tyre të punës ndikojnë në mënyrën e qasjes ndaj rastit.’

Në veçanti i përmend gjyqtaret femra. ‘Kishte shumë gjyqtare vendore me të cilat mu dha mundësia të punoja, gjyqtare me siguri në vete, me njohuri fenomenale të ligjit.  Ishte mirë të shihje që suksesi juaj, edhe si gjyqtare femër, bazohet në meritë.’

Kur mendon rreth përvojës së saj si femër me punë në fushën e sundimit të ligjit, Sandra ka mendim pozitiv për përparimin e shënuar drejt barazisë gjinore, në EULEX dhe përgjithësisht në sferën juridike. ‘Ndonëse shumë shpesh numri i meshkujve që punojnë si zyrtar ligjor është më i madh, diskriminimi ndaj femrave që hyjnë në këtë sferë është pozitiv, e jo negativ.’

‘Unë mendoj se EULEX-i është duke bërë punë të mirë sa i përket ruajtjes së barazisë së perspektivës gjinore në të gjitha angazhimet që i ka. EULEX ka sistem të pikës kontaktuese gjinore shumë të mirë të themeluar i gatshëm të bëjë punë të mirë drejt barazisë gjinore, jo vetëm mes stafit të vet, por edhe në punën që EULEX-i kryen këtu në Kosovë.’

‘Kjo nuk nënkupton se nuk ka nevojë për punë të mëtejshme. Unë kam hasur në sfida si femër gjatë punës nëpër mjedise të tjera, por në përgjithësi, nuk kam pasur ndonjë pengesë të patejkalueshme.’

Sandra shpjegon se për shumë prej sukseseve në karrierë u detyrohet prindërve të saj të cilët, sikur ajo, ishin të përcaktuar të arrinin sukses, pavarësisht pengesave. ‘Prindërit e mi janë rritur në një kohë kur Lituania ende ishte pjesë e BRSS-së. Në atë kohë, nëse nuk ishe nga ndonjë familje me ndikim, nuk kishe arsimoheshe mirë. Në fillim, nëna ime ishte kontabiliste dhe babai polic’, shpjegon ajo. ‘Isha pesë vjeçare kur ra muri. Pasi morëm pavarësinë, ata u kthyen në universitet. Nëna tani është ekonomiste dhe babai i përfundoi studimet në fushën juridike.’

Të dy prindërit e saj e inkurajuan atë që të punonte shumë dhe të korrte sukses. Ata e mbështetën Sandrën për të bërë karrierë në juridik por edhe për të shkuar jashtë vendit për studime të mëtejme. ‘Mbështetja e tyre ishte shumë e dobishme, por të jem e sinqertë,  nuk më nevojitej shumë inkurajim. Aq sa mbajë mend, gjithnjë kam dashur të bëhem juriste!’

Në përgatitjen e saj për t’u larguar nga Kosova pas tri vite e gjysmë qëndrim, Sandra thotë se më së shumti do t’i mungojë natyra e Kosovës. Këtu, ajo e ka eksploruar dëshirën e saj për ambiente të hapura. ‘Për shkak të rrethinës, gjatë kohës sa jetova në Kosovë unë u bëra më e shëndetshme. Që prej se kam ardhur këtu, e kam pasur shumë të vështirë të qëndroja në një vend të vetëm!’ thotë ajo. Me ardhjen në Prishtinë nga Holanda, ajo erdhi nga një shtet ku pika më e lartë është rreth dyqind metra. ‘Një ditë, kur erdha në fillim, një kolege më tërhoqi zvarrë për ecje nëpër natyrë me të, plotësisht të papërgatitur. Mu desh vetëm një shëtitje dhe kjo shprehi u ngulit në mua. Sigurova pajisjet e nevojshme dhe hyra në sport.’

Në shi apo në diell, Sandrën e gjeni nëpër bjeshkë. Kosova jo vetëm që ia ka kultivuar dashurinë për ecje nëpër natyrë, por edhe dashurinë për fotografim. ‘Këtu në Kosovë jemi të rrethuar me shumë vargmale’, thotë ajo. ‘Të gjitha me natyrë dhe peizazhe të llojeve të ndryshme për t’i përjetuar, dhe jo vetëm gjatë verës! Më kujtohet kur njëherë pothuajse u bllokova në një stuhi bore në Gërmi, krejt për hir të disa fotografive të mrekullueshme.’ Çka është më me rëndësi, Kosova ishte vendi ku ajo e gjeti macen e saj Trouble. ‘Ta harroj veten, marrja e maces me vete në Palestinë ka qenë prioriteti im numër një!’

Sandra ka pritje të mëdha jo vetëm për këtë fazë të ardhshme në karrierën e saj, por edhe për jetën e saj të re që do ta krijojë në Ramallah. ‘Shpërngulja nga Haga për në Prishtinë ishte aq e lehtë, por mendoj se Ramallah do të jetë diçka krejt ndryshe. U përshtata kaq shumë në Kosovë, por mezi pres të gjej kënaqësi dhe përvoja të reja, dhe të bëj një shtëpi të re për veten time.’