Më shumë për Multimedia ...

Më shumë për Multimedia ...

Nxënës pjesë e programit të shkëmbimit nga Gjermania dhe Kosova e vizituan EULEX-in

25 shtator 2018

Më 24 shtator, Bernd Thran, Zëvendës-shef i Misionit, në selinë e EULEX-it e ka pritur një grup nxënësish të rinj nga qyteti Engen i Gjermanisë, si dhe një grup nxënësish shqiptarë nga Kosova të cilët ishin pjesë e një programi të shkëmbimit.
 
Kjo vizitë studimore kishte për qëllim që këtyre nxënësve t’ua sqarojë mandatin e ri të EULEX-it dhe se çfarë është duke bërë ky Mision për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë, policisë dhe zbatimit të ligjit dhe mënyrën se si kontribuon ai në zhvillimin e institucioneve demokratike dhe efikase të sundimit të ligjit në Kosovë.

Pas një përmbledhje lidhur me dy shtyllat e reja të monitorimit dhe operacioneve të mandatit të EULEX-it dhe zhvillimeve të fundit politike përkitazi me dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nxënësit shfaqën interesim të madh për punën e këtij Misioni dhe vazhduan me një bashkëbisedim konstruktiv me Zëvendës-shefin e Misionit.

Gjatë diskutimit u prek edhe roli i EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë, situata politike dhe ajo e sigurisë, si dhe fillimet e këtij Misioni në vitin 2008.