One of Us

One of Us

Njëri nga ne: Njihuni me Mentor Kurshumliun

25 janar 2019

Çfarë është duke bërë këtyre ditëve ish-pjesëtari vendas i EULEX-it?

Dëgjoni nga Mentor Kurshumliu lidhur me përvojën e tij të punës në EULEX dhe drejtimin në të cilin ka shkuar jeta profesionale e tij që prej se ka vendosur që ta fillojë biznesin personal të tij.

Pasi që kishte punuar për më shumë se tetë vite në shërbimin mjekësor të EULEX-it si teknik në laborator, ai vendosi që të shkojë një hap më larg dhe ta sfidojë veten në sektorin privat duke e hapur laboratorin mjekësor të tij në Prishtinë.

Duke qenë tani Drejtor Ekzekutiv i një biznesi privat, Mentori thotë se vitet të cilat i kishte kaluar në EULEX ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin e aftësive dhe zotësive të cilat tani i përdor gjatë punës në laboratorin e tij.

“EULEX-i më ka formësuar pozitivisht, ai më dha mundësinë që ta kryej punën time në një mjedis shumë-kulturor, që t’i kuptoj dhe respektoj dallimet, si dhe t’i ushtroj shkathtësitë e mija duke i përdorë metodat dhe pajisjet më moderne. Në përgjithësi, unë mund të them se EULEX më ka bërë një njeri më të mirë”, tha Mentori.

Ai beson se EULEX-i e ka krijuar një trashëgimi për shoqërinë e Kosovës duke i zhvilluar shkathtësitë praktike të personelit vendas të cilat mund të shfrytëzohen më së miri në sektorin publik apo privat të Kosovës.

“Ndikimi pozitiv është më se i dukshëm,” sqaron ai. “EULEX-i i ka disa standarde dhe kritere të cilat, nëse i aplikojmë në karrierat tona të ardhshme, do ta përmirësojnë rezultatin e punës tonë dhe do të shërbejnë si shembull për të tjerët. Pra, gjithsesi ekziston një trashëgimi të cilën EULEX-i është duke e lënë prapa vetes tashmë. Unë besoj se ish të punësuarit e EULEX-it do të jenë të kërkuar nga kompanitë e këtushme në Kosovë”.

“Njëri nga ne” përqendrohet në rrëfimet e ish-pjesëtarëve vendas të EULEX-it që tani punojnë nëpër institucionet, organizatat apo bizneset e Kosovës, që ka për synim ta theksojë trashëgiminë të cilën EULEX-i është duke e lënë prapa vetes në shoqërinë kosovare.