|
20 qershor 2012
Shoqatat kosovare dhe ato serbe të familjarëve, Komisioni i Qeverisë së Kosovës për Persona të Pagjetur (KQPP) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur (ICMP) e kanë vizituar lokacionin e dyshuar për varrezë masive në Zhilivodë. Ata u pritën nga një ekip i EULEX-it nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) që është duke punuar në atë lokacion.
Alan Robinson, bashkëdrejtor i DML-së, i informoi ata rreth punëve që po zhvillohen në atë lokacion si dhe rreth sfidave.
“EULEX-i ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe me Komisionin e Qeverisë së Kosovës për Persona të Pagjetur. Jemi duke filluar me javën e tretë të punës në këtë lokacion këtë vit dhe tani i kemi pajisjet e nevojshme, kështu që brenda disa javësh do të mund t’i afrohemi përfundimit të fazës së gërmimit”, tha Robinson.
Vitin e kaluar, ekipi i DML-së nga EULEX-i, me mbështetjen e FSK-së dhe të KQPP-së, ka gërmuar në kompleksin e minierës në Zhilivodë për njëzet e tri javë, para se moti i ligë bëri që të pezulloheshin punimet.
“Gjatë kësaj sezone qëllimi ynë është të përfundojmë me hulumtimin e kompleksit të minierës dhe të vërtetojmë ose mohojmë praninë e varrezës masive që supozohet të ekzistojë. Nëse gjenden mbetje mortore, ato do të zhvarrosen menjëherë. Ky projekt ka kërkuar angazhim të konsiderueshëm nga ekipi i DML-së nga EULEX-i dhe nga autoritetet vendase, dhe është shembull i qartë i zotimit tonë të përbashkët ndaj çështjes së personave të pagjetur”, tha Robinson.
Që nga fillimi i sezonit të punimeve në teren nga mesi i muajit maj këtë vit, ekipi i DML-së nga EULEX-i dhe Njësia e EULEX-it për hetimin e krimeve të luftës kanë kryer pesëmbëdhjetë operacione në teren dhe deri më tani i kanë gjetur mbetjet mortore të tetë personave.