Lajme

“Numri i madh i të pafuqishmëve ka qenë shtysë që unë të luftoj diskriminimin, të avokoj për të drejtat e njeriut dhe të përpiqem të bëj ndryshime pozitive për komunitetin LGBTIQ+” – Njoftohuni me Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e programit për Qendrën për zhvillimin e grupeve shoqërore

17 maj

Me një perspektivë pozitive për jetën dhe gjërat që ne mund t’i ndryshojmë, pavarësisht sfidave të cilat ajo i hasë çdo ditë, Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e programit për Qendrën për zhvillimin e grupeve shoqërore, e drejton bisedën tonë me një pikëpamje premtuese për të ardhmen.

Duke qenë nga një prejardhje diverse, Rajmonda kishte avokuar për të drejtat e njeriut ende pa e ditur se çka ishte aktivizmi.

“Unë kam qenë aktiviste vullnetare që nga viti 2006, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin dhe dëshirën time për të punuar dhe promovuar të drejtat e njeriut në emër të një prej grupeve më të cenuara që jetojnë në Kosovë. Duke qenë fëmijë nga një martesë e përzier, unë kam qenë shumë e vogël kur më është dashur të marr qëndrim. Për arsye se kush isha dhe për shkak të situatës politike atë kohë, disi më është dashur të mbrojë një gjë të cilën as nuk e kuptoja mirë se çka ishte dhe pse më duhej ta mbroja. Andaj, kjo është arsyeja përse unë besoj se pjesa aktiviste e trurit tim ka filluar të zhvillohet në mënyrë të pavetëdijshme që nga një kohë shumë e hershme e jetës sime,” shpjegon Rajmonda.

Pas ardhjes nga Prizreni në Prishtinë për t’i përfunduar studimet universitare, ajo u takua me një grup shumë aktiv të njerëzve të cilët avokonin për të drejtat e LGBTIQ+. Ajo filloi të merrte pjesë në shumë aktivitete avokuese të grupit dhe në shkëmbim të përvojave mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe çka i bëri përshtypje rreth veçantisë së këtij komuniteti ishte se ata trajtonin edhe çështjet e ballafaqimit me të kaluarën, diçka që Rajmonda e shihte si aset shtesë: “Duke parë aq shumë njerëz të pafuqishëm, pasi zbulova një jetë të atillë të fshehtë, një botë paralele në Prishtinë, më bëri të kuptoj se sa e vështirë është jeta për një grup të caktuar të njerëzve. Unë mendoj se jam gjetur krejt rastësisht në një vend që më ka quar në rrugë të mirë në jetën time ku mund të kontribuoj për një kauzë madhore,” thotë Rajmonda duke rikujtuar fillesat e ditëve të saj si aktiviste e apasionuar.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive të shumta, megjithatë, Rajmonda na tregon se ende ekzistojnë shumë sfida me të cilat ballafaqohet ky komunitet në Kosovë: “Ka ca përmirësime por ka edhe gjëra që kanë stagnuar për 10 apo 15 vite. Në njërën anë ne flasim publikisht për gjërat e rëndësishme si bashkimet mes seksit të njëjtë dhe ndryshimet e Kodit Civil por, në anën tjetër, kur punoni drejtpërdrejt me komunitetin aty shihet se sfidat vazhdojnë të jenë të njëjta. Një nga çështjet kryesore që vazhdon të jetë urgjente është dhuna në familje dhe çështjet e strehimit të personave LGBTIQ+. Neve na vijnë shumë njerëz me nevoja për strehim, por, fatkeqësisht, deri më tani kjo çështje nuk është zgjidhur.”

Rajmonda thekson se, ndonëse ekziston besimi në agjencitë e zbatimit të ligjit, ende ka frikë nga ekspozimi, frikë nga pasiguria për atë që do të ndodhë: “Historikisht, jo shumë raste të dhunës në familje dhe të krimeve të urrejtjes kundër personave LGBTIQ+ kanë shkuar deri në gjykatë. Viktimat heqin dorë apo dekurajohen nga procedurat gjyqësore që shpesh janë tejet të komplikuara.”

Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është po ashtu stabil dhe aktiv. Rajmonda shpjegon se QZHGSH ka bërë shumë trajnime me PK-në në nivel kombëtar mbi mënyrën e trajtimit të rasteve ku viktimat janë shënjestruar për shkak të identitetit të tyre gjinor apo orientimit seksual.

Pozita e drejtoreshës së programit për Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (QZHGSH), një prej organizatave kryesore në Kosovë që promovon dhe shpije në mbrojtjen e të drejtave të LGBTIQ+, i jep Rajmondës mundësinë të punojë për një kauzë në të cilën ajo beson thellësisht, mundësinë të mbështesë drejtpërdrejt komunitetin LGBTIQ+.

QZHGSH ofron platformë online dhe offline të dedikuar për komunitetin LGBTIQ+, e cila ofron informata të nevojshme dhe shërbime të ndihmës juridike falas si dhe seanca psikologjike: “Ne kemi ekspertë ligjorë të cilët janë të kontraktuar nga ne në bashkëpunim me Agjencinë për ndihmë juridike falas. Ne po ashtu mund t’i drejtojmë personat që na kontaktojnë te psikologët apo psikiatrit tanë, varësisht nga nevoja.”

QZHGSH ofron rreth 1000 seanca psikosociale në vit për personat që i kontaktojnë ata drejtpërdrejt. Tutje, organizata ofron edhe testime falas për përfituesit, që ka për qëllim zbatimin e programit për parandalimin e HIV-it, duke kontribuar kështu në mirëqenien e përgjithshme të përfituesve.

“I tërë procesi i konsultimit dhe ndihma që i nevojitet një personi është tejet konfidenciale për të siguruar mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të secilit person,” thekson Rajmonda.

Qasja shumëdimensionale e organizatës ka qenë çelës i sukseseve të tyre. Në veçanti, sensibilizimi rreth të drejtave LGBTIQ+ në mesin e popullatës së gjerë ka qenë një komponentë shumë e rëndësishme e punës së Rajmondës dhe kolegëve të saj aktivistë: “Ne bëjmë avokime dhe lobime të vazhdueshme brenda institucioneve të Kosovës, dhe si lëvizje ne kemi arritur të jemi shumë të zëshëm rreth draftit të Kodit Civil dhe të qartë se ne nuk do të lejojmë qasje jokushtetuese drejt nesh. Mendoj se përgjatë viteve shoqëria civile është bërë më e fuqishme dhe prania e një qëndrimi të fuqishëm dhe profesional në këtë kohë është thelbësore.”

Sipas Rajmondës, Kosova ende përballet me shumë sfida për garantimin e përfshirjes dhe të të drejtave të barabarta për të gjitha komunitetet. "Disa faktorë që do të mund të lehtësonin këto sfida do të ishin ndryshimet, si miratimi përfundimtar i Ligjit për njohjen juridike të gjinisë, zbutjen e diskriminimit të dyfishtë siç janë rastet e grave queer dhe personave trans; sigurimin e strehimit për viktimat LGBTIQ+ të dhunës në familje; dhe një harmonizim më i lartë në zinxhirin e drejtësisë penale kur kemi të bëjmë me kategorizimin e krimeve të urrejtjes kundër komunitetit LGBTIQ+,” thekson ajo.

Në nivel kombëtar, krahas bashkëpunimit me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, QZHGSH është pjesë e Grupit këshillimor dhe bashkërendues, që udhëhiqet nga Zyra e Qeverisjes së Mirë brenda Zyrës së Kryeministrit. Deri më sot, aktivitetet e këtij grupi kanë rezultuar në një numër fushatash dhe trajnimesh sensibilizuese për çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTIQ+ dhe të drejtat e njeriut.

Duke pas parasysh rolin e fuqishëm të mediave në drejtimin dhe krijimin e narrativave të caktuara, Rajmonda shprehet se ekziston një ndryshim pozitiv i vogël në atë se si mediat raportojnë dhe shkruajnë për çështjet që kanë të bëjnë me këtë komunitet: “Pak vite më parë çështjet që kishin të bënin me komunitetin LGBTIQ+ trajtoheshin në mënyrë sensacionale pa i konsideruar pasojat e mundshme. Raportimi është përmirësuar në aspektin e terminologjisë së përdorur, megjithatë, ende ka mjaft vend për përmirësim sa i përket përmbajtjes dhe llojit të informatave që i shërbehen popullatës së gjerë nga ana e mediave,” thekson Rajmonda.

Përfundimisht, kur kemi të bëjmë me avokim dhe angazhimin për të drejtat e njeriut, për të drejtat LGBTIQ+, Rajmonda thekson se çdo ditë është ditë e duhur për të punuar në këtë drejtim: “Tani është koha. Shumë miq të ngushtë dhe aktivistë kanë shkuar nga Kosova. Ne nuk e kemi luksin të presim momentin ideal, ne duhet të jemi të gatshëm, shumë të shpejtë dhe profesionistë në dhënien e këshillave juridike dhe mbështetjes dhe në monitorimin e ndryshimeve që duhet të ndodhin në nivelin legjislativ me qëllim të mbështetjes së të drejtave të LGBTIQ+.”

Heqje përgjegjësie: Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura nga personi/personat e intervistuar në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdo qëndrimin zyrtar të EULEX Kosovo.