Lajme

Punëtoria “Drejtësia përballë mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasja në dokumente publike” u organizua nga EULEX-i në partneritet me Agjencinë e Informacionit dhe Privatësisë dhe me Akademinë e Drejtësisë

30 maj

Më 30 maj 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në partneritet me Agjencinë e Informacionit dhe Privatësisë (AIP) dhe Akademinë e Drejtësisë, organizoi punëtorinë me titull “Drejtësia përballë mbrojtjes së të dhënave personale dhe qasja në dokumente publike” për prokurorë, gjyqtarë, përfaqësues të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe profesionistë ligjorë.
 
Punëtoria u përqendrua në rëndësinë e balancimit të së drejtës për privatësi dhe të drejtës për qasje në dokumente publike brenda sistemit të drejtësisë.
 
Gjatë hapjes së kësaj punëtorie, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano tha: “mbrojtja e të dhënave personale dhe transparenca e institucioneve publike nuk e përjashtojnë por e plotësojnë njëra tjetrën ndërsa që të dyja kontribuojnë për një shoqëri të drejtë dhe të hapur. Si përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të gjithë ju keni një përgjegjësi të qartë për ta garantuar zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave dhe për të ofruar qasje në dokumentet publike”. Barbano shtoi më tej se “kështu sigurohet transparenca dhe llogaridhënia, duke mbrojtur në mënyrë të barabartë të drejtat e secilit gjatë ndarjes së drejtësisë”.
 
Duke qenë pioniere e avokimit të vazhdueshëm për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në dokumente publike, Komisionerja e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dërmaku theksoi se Agjencia vazhdon t'i bazojë vendimet e saj në standardet evropiane, përkatësisht standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. “Është shumë e rëndësishme që të përcaktohet dallimi midis të drejtës për privatësi dhe të drejtës për informim. Kjo punëtori do t'ju ndihmojë të gjithëve që ta kuptoni rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies përmes publikimeve proaktive”.
 
Mbështetja e Akademisë së Drejtësisë është gjithmonë e rëndësishme për realizimin e aktiviteteve të tilla. Drejtori Ekzekutiv i saj, Enver Fejzullahu u zotua se mbështetja e EULEX-it për institucionet e drejtësisë së Kosovës ka qenë e paçmueshme ndër vite, duke shtuar: “Akademia e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për ngritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve, prokurorëve, profesionistëve ligjorë në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjen në dokumente publike. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndihma e EULEX-it në përvojën dhe shkëmbimin e praktikave më të mira vlerësohen shumë nga Akademia”.

Gjatë kësaj dite, pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe sfida të ndryshme me të cilat përballen, veçanërisht në lidhje me qasjen në të dhënat personale. Për shembull, prokurorët që merren me rastet ku përfshihen të miturit kërkuan këshilla dhe rekomandime nga AIP-ja për mënyrën se si të adresohen më së miri kërkesat për qasje në të dhënat personale kur të dhënat personale të miturve janë në rrezik.
 
Temat tjera në fokus të punëtorisë ishin: korniza kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale; të drejtat dhe detyrimet; baza ligjore për përpunimin e të dhënave personale; mbrojtja e të dhënave personale në sistemin gjyqësor dhe prokurorial; anonimizimi i të dhënave personale; balancimi i transparencës dhe mbrojtjes së privatësisë.
 
Kjo është punëtoria e tretë që e ka organizuar EULEX-i së bashku me Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe me Akademinë e Drejtësisë për të ofruar një platformë diskutimi mbi zbatimin e thuktë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, duke i analizuar barrierat dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen institucionet e sundimit të ligjit, duke i analizuar dhe shkëmbyer praktikat e mira. Punëtoria ishte gjithashtu pjesë e projektit të EULEX-it në shkallë të vogël “Zhvillimi i kapaciteteve për të drejtat e njeriut për profesionistët ligjorë për ta përmirësuar zbatimin e dispozitave ligjore në sistemin gjyqësor në veri të Kosovës”.