Gratë në sundimin e ligjit

Jaroslava Novotna – Zonja Prokurore

30 dhjetor 2013

Ishte dëshira për të ndihmuar në zhvillimin dhe implementimin e sundimit të ligjit që e solli Jaroslava Novotnën, zonjën e parë në mesin e gjithë prokurorëve, në Kosovë. Entuziazmi i saj qe ndërtuar fuqimisht nga përpjekjet e Kosovës për krijimin e sistemit të prokurorisë sipas praktikave më të mira evropiane. Misioni saj i brendshëm ishte të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të prokurorisë vendëse.

Si Kryeprokurore e EULEX-it, Novotna është përgjegjëse për efektshmërinë dhe efikasitetin e prokurorëve ndërkombëtarë. Në rolin e saj, ajo po ashtu vepron edhe si homologe e drejtpërdrejtë me Kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi. Së bashku me Asamblenë e Prokurorëve të EULEX-it, Novotna fasiliton përpjekjet për adresimin e mangësive institucionale dhe strukturore të sistemit gjyqësor të Kosovës.

Ajo ka menduar se përvoja e saj e punës në Kryeprokurorinë e Republikës Çeke për çështjet që kishin të bënin me krimin e organizuar, si dhe përfaqësimi i vendit prej saj në EUROJUST, një trup i themeluar nga shtetet anëtare të BE-së për bashkërendimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale në mes tyre, do t'i ndihmonte shumë në rolin e saj të ri.

Në Pragë, ajo e filloi karrierën e saj në vitin 1978 në Çekosllovaki, duke qenë në radhë të parë dëshmitare e ndryshimeve ligjore substanciale në vend dhe duke u ballafaquar me sfidën e kalimit prej sistemit një partiak në një demokraci dhe një treg të lirë plotësisht funksional, të etur për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian. Për t'i komplikuar gjërat edhe më shumë, ky tranzicion ndodhi krahas me ndarjen paqësore me Sllovakinë në vitin 1993.

Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve të thella, ligjvënësit çek ishin ngarkuar jo vetëm me detyrën kryesore të ndryshimit të kodit penal ekzistues, por edhe me rikodifikimin e ligjeve të reja dhe ligjeve të procedurës penale, ndërsa pothuajse krahas kësaj prej tyre kërkohej që të zbatonin procedurat e reja.

"Vendi im donte të bëhej pjesë e Evropës. Asokohe, ne duhej të merreshim jo vetëm me ndryshime rrënjësore të ligjeve të vendit tim – por edhe me zbatimin e tyre në mënyrë të shpejtë", thotë Novotna, duke shtuar se "të implementosh këto ndryshime ishte shumë e vështirë".

Sipas zj. Novotna, prokuroria paraqet boshtin kryesor të gjithë sistemit të drejtësisë së një vendi.

"Pa funksionimin efektiv të një prokurorie fuksionale, e të aftë që të udhëheq me hetimet policore, nuk mund të ketë gjykim. Ndërsa pa gjykim, gjyqtarët nuk do të jenë në gjendje të kryejnë detyrën e tyre. E pa të gjitha këto – nuk mund të ketë drejtësi në një shoqëri", konkludon zj. Novotna.

Këshilla e saj për prokurorët e Kosovës është që të jenë sa më profesionistë; ta njohin ligjin dhe të përdorin çdo rast për t'u arsimuar dhe avancuar. "Ju duhet të shfrytëzoni çdo mundësi për të mësuar për gjithë botën, dhe jo vetëm për profesionin tuaj. Ju duhet të jeni të hapur për interaksion me kolegët tuaj dhe të diskutoni për vështirësitë. Ju duhet të jeni të guximshëm në përpjekjet tuaja për ndryshimin e mjedisit, e jo të bini nën ndikimet negative", thekson ajo.

Sipas Novotnës, ajo është njohur me disa prokurorë të shkëlqyer në Kosovë. Ajo veçanërisht çmon kolegët e saj të rinj, të cilët angazhohen për një sistem gjyqësor efektiv, në të cilin asnjë krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

"Krimi në cilën do shoqëri paraqet pengesë për zhvillimin e saj, një dukuri e cila e parandalon përparimin e demokracisë", thotë Novotna.

Gjatë hetimit, duhet të ketë një balancë në mes të drejtës së publikut për t'u informuar dhe për nevojën e mbrojtjes së të drejtave të personave të dyshuar.

"Duhet të kesh një arsye të mirë për të filluar hetimin, por kjo nuk duhet të jetë arsye që pastaj të zbulosh identitetin në publik të personave të përfshirë në hetim – përkundër vëmendjes së mediave. Gjithmonë ekziston rreziku i dëmtimit të reputacionit të një personi. Rregulla themelore e çdo kodi penal është se çdokush konsiderohet i pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e personit në një gjykatë të pavarur. Publiku dhe mediat duhet ta respektojnë këtë", këshillon Novotna.

Dëshirat dhe ëndrrat e saj për Kosovën, janë që Këshilli Prokurorial i Kosovës, KPC, të zhvillohet tutje dhe të kontribuojë për një prokurori më të fortë dhe më të dukshme, e të lirë nga ndikimet negative duke formuar kështu një themel të fortë për gjeneratat e ardhshme.

EULEX-i e ka ndihmuar Kosovën me raste më komplekse, të cilat nuk kanë mundur të trajtohen nga gjyqësori i vendit, por njëkohësisht përmes bashkëpunimit me gjyqësorin e Kosovës, misioni ndihmoi në pasurimin e njohurive dhe shkathtësive të tyre. Mirëpo, procesi i të mësuarit nuk ishte i njëanshëm.

"Ne po ashtu kemi mësuar shumë nga kolegët tanë nga Kosova. Ju mendoni se drejtësia mund të arrihet vetëm përmes mjeteve tuaja dhe brenda ligjit të cilin jeni mësuar ta zbatoni. Interaksioni me kolegët tanë këtu nënkupton se ne e kemi mësuar një mënyrë të re të të menduarit. Njeriu fillon t'i sheh gjërat në një mënyrë tjetër – sipas mënyrës së Kosovës".