Gratë në sundimin e ligjit

Biljana Rexhiq – garanton realizimin e drejtësisë!

14 shkurt 2014

Nëse keni ndonjë lëndë në Gjykatën Themelore dhe nuk ju pëlqen vendimi i nxjerrë nga gjykata në fund, gjithmonë mundeni të mos pajtoheni me atë vendim... Mospajtimi është e drejtë themelore e njeriut! Sidoqoftë, vetëm mospajtimi me vendimin e gjykatës ndoshta nuk do të jetë i mjaftueshëm që ta ktheni vendimin në favor tuajin, përveç nëse filloni procesin e zakonshëm të apelit për ta ndrequr padrejtësinë. Këtu vjen në shprehje puna e Biljana Rexhiq. Ajo u ndihmon atyre që mund të mendojnë se ju është bërë padrejtësi nga gjyqësori në ndonjë rast gjyqësor në të cilën janë të përfshirë, si dhe ajo ju ndihmon në përpjekjet e tyre që gjykatat t'i rivlerësojnë vendimet e tyre të mëparshme.

Biljana Rexhiq është Udhëheqëse e Sektorit për Kundërvajtje dhe pjesë e panelit gjyqësor në Gjykatën e Apelit në Prishtinë. Ajo gjithashtu punon edhe në ekipe të përziera në lëndë penale. Gjatë tri dekadave të kaluara, një numër i madh i femrave janë bërë pjesë e profesionit të drejtësisë dhe Biljana Rexhiq pa dyshim është një shembull i mirë i femrave të suksesshme në gjyqësor.

Ajo punon si gjyqtare që nga vitit 1980. Edhe pse ka diplomuar edhe në gazetari, atë e tërhiqte më shumë ndarja e drejtësisë. "Ishte shumë e natyrshme për mua që t'i ndjekë hapat e babait dhe të gjyshit tim të cilët ishin gjyqtarë," thotë ajo.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë është i organizuar në tri nivele: Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Gjykata e Apelit funksionon si gjykatë e shkallës së dytë që nënkupton se ajo merret me lëndët të cilat i ka pranuar pas ankesave nga njëra prej gjykatave themelore.

Sipas Biljanës, një sfidë e posaçme është numri i madh i lëndëve. "Në këto rrethana duhet të jesh vetja, profesionale, e pavarur dhe e paanshme, të varesh vetëm nga ligjet dhe respektimi i të drejtave të njeriut," sqaron ajo.

Ajo që e motivon atë janë njerëzit dhe pritjet e tyre për drejtësi. "Vërtetë është keq kur njerëzit e humbin besimin në sistemin e drejtësisë", thotë Rexhiq. "Ndoshta pritjet janë më të mëdha se sa kapacitetet tona, por nuk mund ta lëmë këtë të na dekurajojë. Vendimet tona ndikojnë drejtpërdrejt tek njerëzit dhe përkrah zbatimit të ligjit ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe me afatin kohor. Çdo minutë vonesë është padrejtësi për palët", shton ajo.

Sipas parimit, nuk pendohem për vendimet e mia, edhe pse kërcënimet janë pjesë e punës sonë të përditshme", thotë ajo duke buzëqeshur.

"Lufto para se të heqësh dorë"

Qëllimi parësor i gjyqtarit duhet të jetë zbatimi i ligjit. Qëllimi personal i Biljanës është t'i shërbejë sistemit të drejtësisë me përkushtim dhe aq sa ka njohuri. "Është obligim yni ligjor dhe moral që ta vëmë njohurinë, përvojën, energjinë dhe kreativitetin tonë në shërbim të drejtësisë. Në këtë aspekt, unë nuk kursehem aspak", thotë ajo.

Sidoqoftë, gjyqësorit të Kosovës i nevojitet mbështetja dhe përvoja e gjyqtarëve dhe e prokurorëve ndërkombëtarë në mënyrë që t'i arrijë standardet evropiane. "Këmbimi i përvojave dhe i njohurive me kolegët është shumë i rëndësishëm. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me gjyqtarët e EULEX-it. Vërtetë e çmoj mbështetjen e tyre," thotë Biljana.

Porosia e Biljanës për gjeneratat e reja është që ata duhet të jenë të pavarur, të moralshëm dhe të paanshëm. Ata duhet vazhdimisht të mësojnë dhe të studiojnë. "Unë jam gjithmonë në trajnime dhe vetë jam trajnuese në Institutin Gjyqësor të Kosovës", shton ajo.

"Po të mos isha gjyqtare, atëherë përfundimisht do të isha diku në kategorinë e sundimit të ligjit. Gjithmonë do t'i shërbejë drejtësisë," thotë ajo.

Biljana Rexhiq është pishtar i shpresës për të gjithë ata që dëshirojnë të "luftojnë për drejtësi". Përmes përkushtimit, punës së saj të madhe dhe angazhimit ajo është në gjendje të ndihmojë në sigurimin e realizimit të drejtësisë.