Kosova dhe EULEX-i plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim dhe partneritet të mirë

20 gusht 2009

Shefi i misionit të EULEX-it u takua me Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi për të diskutuar mbi Protokollin për Bashkëpunimin Policor
 

 

Shefi i misionit të EULEX-it Yves de Kermabon u takua me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi për të diskutuar dhe qartësuar çështje të ndryshme lidhur me aranzhimet teknike ndërmjet Komponentit të Policisë së EULEX-it dhe të palës homologe përkatëse në Serbi, të njohur si Protokolli për Bashkëpunim Policor.

“Kosova dhe EULEX-i janë të përkushtuar plotësisht ndaj parimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mirë dhe do të vazhdojnë t’i përmbahen këtyre parimeve themelore për t’i forcuar edhe më shumë marrëdhëniet tona”, tha de Kermabon në deklaratën e përbashkët me Sejdiun dhe Thaçin pas takimit të mbajtur.

De Kermabon u tha mediave se edhe mes miqve mund të ketë dallime mendimesh dhe përkitazi me këtë protokoll, ne ende kemi pikëpamje të ndryshme dhe ne mendojmë se mënyra më e mirë për t’i zgjidhur këto dallime është që të kërkohen pikat e përbashkëta.

“Siç e thash tashmë, EULEX-i nuk mund e as që do të nënshkruajë asnjë lloj protokolli në emër të Kosovës, ndërsa angazhimi për bashkëpunim operativ nuk ndërlidhet aspak me të ashtuquajturin “plani 6-pikësh”, tha Kermbaon.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu theksoi se institucionet e Kosovës vazhdojnë të punojnë në mënyrë produktive me EULEX-in.

“Përmes takimeve tona të rregullta me shefin e misionit të EULEX-it ne diskutojmë për shumë çështje me të cilat është duke u ballafaquar Kosova, ndërsa përmes bashkëpunimit tonë të veçantë me EULEX-in i cili i përkrahë institucionet tona; ne përmbushim në mënyrën më të mirë pritjet e popullit të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi e përshkroi takimin si “të mirë” dhe tha se këshillat dhe rekomandimet e EULEX-it do të vazhdojnë të vlerësohen lart.

EULEX-i i ka nënshkruar marrëveshjet e mëparshme me shtetet fqinje në fushën e inteligjencës financiare.

     
Other Photos: