EULEX-i do ta hapë një zyrë të re në Mitrovicën Veriore

15 tetor 2009

Gazetarët bëjnë pyetje Shefit të Misionit
 

 

Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon e vizitoi Mitrovicën dhe veriun për t’u takuar me kolegët e tij të EULEX –it që punojnë në portën 1, në Gjykatën e Qarkut dhe në stacionin e policisë në Mitrovicën veriore dhe në bazën logjistike në Mitrovicën jugore, në të cilën aktualisht janë të vendosur personeli i EULEX-it që punon në Mitrovicë. Ai, po ashtu, u takua me kryetarin e Mitrovicës, Bajram Rexhepi.

Vizita e Shefit të Misionit shërbeu që ai të fitonte përshtypje të drejtpërdrejtë personale lidhur me punën e EULEX-it në komponentin e policisë, të drejtësisë dhe të doganës, si dhe ta vizitonte vendin e përkohshëm për zyrën e re të EULEX-it në Mitrovicën Veriore. Gjatë vizitës së tij dhe bisedave me personelin e EULEX-it, ai i përgëzoi kolegët e tij për punën e tyre duke thënë: “Në krahasim me vizitën time vitin e kaluar është i dukshëm një përparim i madh”, para medieve shqiptare dhe serbe në Kosovë gjatë një konference për shtyp në oborrin e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. “Brenda javëve, EULEX-i do të fillojë të punojë këtu në veri, pasi që të rinovohen zyrat e reja”, konfirmoi Yves de Kermabon pas pyetjeve të gazetarëve duke theksuar se Bashkimi Evropian është duke e mbështetur fuqishëm një prani më të madhe të EULEX-it dhe të institucioneve tjera evropiane në veri të Kosovës.

Gjatë vizitës në Gjykatën e Qarkut, Yves de Kermabon i falënderoi ekipet që janë marrë me inventarizim, të cilat përbëhen nga tre shqiptarë dhe tre serbë të Kosovës nga gjyqësori vendor, për punën e tyre të shkëlqyeshme në kryerjen e inventarizimit të rasteve të pazgjidhura. Ata pothuajse e kanë përfunduar punën dhe mbi 3000 dosje janë rigjetur, organizuar, regjistruar dhe klasifikuar. Shefi i EULEX-it theksoi që tani është shumë e rëndësishme që gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe serbë të Kosovës të kthehen sërish në gjykatë në mënyrë që t’i ndjekin dhe gjykojnë këto raste së bashku me gjykatësit dhe prokurorët e EULEX -it.