23 korrik 2010
|
|||
---|---|---|---|
Misioni i EULEX-it publikoi raportin e parë të detajuar mbi sundimin e ligjit në Kosovë. I përpiluar nga Zyra për Programe në EULEX, raporti është i bazuar në më shumë se 2500 vlerësime të kryera nga 400 monitorues dhe këshilltarë të EULEX-it gjatë periudhës gjashtë mujore. Raporti ka për fokus Policinë e Kosovës (PK), Gjyqësorin dhe Doganën.
“Raporti analizon strukturat dhe sistemin në funksionim dhe tregon se në cilat fusha duhet bërë më shumë nëse institucionet dëshirojnë të arrijnë nivelin evropian”, pohoi zëvendës shefi i EULEX-it, Roy Reeve gjatë bërjes publike të raportit në konferencën për shtyp.
Raporti ofron një sërë rekomandimesh kyçe përfshirë këtu edhe nevojën për reformimin e gjyqësorit në Kosovë. Policia e Kosovës, (PK) u përmend disa herë të jetë një ‘organizatë shembullore’, ndonëse në këtë rast janë dhënë afro 30 rekomandime për ndryshime. Gjithashtu sugjerohet që Dogana e Kosovës të integrojnë Policinë Kufitare dhe Prokurorinë për të luftuar krimin ndërkufitar.
“Kjo është pjesë e strategjisë së njëjtë që ne kemi prezantuar më 9 dhjetor kur shpallëm shtrirjen e plotë të Misionit. Është në kuadër të transparencës që ne duam të kemi përballë opinionit publik”, tha Alessio Zuccarini, shef i Zyrës për Programe - EULEX.
Janë dhënë gjithsej 70 propozime gjithëpërfshirëse mbi të cilat do të fokusohet vëmendja e EULEX-it në të ardhmen.
“Ne mund të punojmë bashkërisht me institucionet për të përmirësuar situatën”, vazhdoi Reeve, “por puna nuk do të kryhet nga ana e EULEX-it. Punën do ta kryejnë institucionet e Kosovës. Gjithë çfarë do të bëjmë ne është që të identifikojmë se cilat janë fushat që duhet përmirësuar”.
Krahasuar me Policinë dhe Doganën e Kosovës, gjyqësori dhe sistemi i drejtësisë në tërësi janë dukshëm më të dobëta në ruajtjen e pavarësisë së tyre.
Thelbi i shqetësimeve të EULEX-it qëndron në nevojën për të rritur besimin e opinionit publik duke zvogëluar mundësinë e shfaqjes së presioneve dhe korrupsionit ne mesin e prokurorëve dhe gjykatësve.
Other Photos: | ||