English Shqip / Srpski
 

Përcjellja e përparimit të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit

05 Maj 2010

 

 

Për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësinë ta monitorojnë progresin e institucioneve të Kosovës në përpjekjet e tyre për përmirësimin e sundimit të ligjit.

EULEX-i e ka krijuar një mekanizëm përcjellës të sofistikuar i cili e përcjellë punën e institucioneve të Kosovës në fushën e drejtësisë, të policisë dhe të doganës. Ky mekanizëm është pjesë thelbësore e mandatit të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillim (MMK).




Sistemi është i qasshëm përmes faqes së internetit (http://www.eulex-kosovo.eu/en/tracking/)

Krijimi i këtij mekanizmi ka filluar mes dhjetorit 2008 dhe qershorit 2009, kur EULEX-i pati bërë një vlerësim të hollësishëm të punës së institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit.

“….pak organizata janë kaq të hapura dhe të qasshme sa EULEX-i” - Alessio Zuccarini, Shefi i zyrës së EULEX-it për programe
 

Të gjeturat nga vlerësimi janë shpjeguar në raportin e EULEX-it për programet, i publikuar në korrik të vitit 2009, i cili solli një numër të madh rekomandimesh për ndryshime në të ardhmen.
Që nga muaji gusht 2009, EULEX-i ka punuar me institucionet partnere vendore për të shndërruar rekomandimet në ndryshime konkrete në praktikë. Këto ndryshime janë duke u zbatuar përmes një numri të madh të ‘katalogëve të veprimit’ apo ‘veprimeve të MMK’. Kjo gjithashtu njihet edhe si ‘qasja programatike’ e EULEX-it.

Mekanizmi për përcjellje do të krijohet në faqen e internetit në javët e ardhshme. Por puna fillestare mund të shihet në: http://www.eulex-kosovo.eu/en/tracking/

“Kjo është pjesë thelbësore e mandatit të EULEX-it për të qenë llogaridhënës dhe transparent për punën që është duke bërë,” tha Alessio Zuccarini, shefi i zyrës për programe të misionit, që është duke udhëhequr zbatimin e sistemit të përcjelljes.

“Për herë të parë, qytetarët do të kenë mundësinë të monitorojnë punën e EULEX-it dhe të shohin nivelin e progresit të arritur nga institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit në zhvillimin e sundimit të ligjit. Shumë pak organizata të tjera ndërkombëtare, kudo, kanë qenë ndonjëherë kaq të hapura dhe të qasshme për qytetarët. Ne i kemi inkurajuar OJQ-të dhe shoqërinë civile që të kenë marrëdhënie të hapura dhe të rregullta me neve. Qytetarët meritojnë të jenë të informuar rreth reformave të pritura dhe të jenë të informuar në çdo fazë të procesit, kjo është pjesë kryesore e punës sonë” shtoi ai.

Me zbatimin e veprimeve të MMK-së, institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit do të jenë në rrugë drejt përmirësimit. Një nga kërkesat më të rëndësishme për zhvillimin e perspektivës së saj evropiane është që Kosova të përmirësojë sundimin e ligjit. Kjo është arsyeja se pse ky mekanizëm përcjellës është kaq i rëndësishëm.