English Shqip / Srpski

Zgjerimi gjeografik kërkon numër më të madh policësh

16 qershor 2010

Komandanti i stacionit policor në Novobërdë duke e përshëndeturZ. de Kermabon

 

Nevoja për më shumë policë pas zgjerimit të territorit të Novobërdës në procesin e reformave të decentralizimit, të cilat filluan kah fundi i vitit 2009, si dhe ajo për më shumë bashkëpunim ndërmjet stacionit policor në Novobërdë dhe prokurorisë publike në Prishtinë, ishin dy nga çështjet kryesore të cilat u veçuan nga Yves de Kermabon, shef i EULEX-it, gjatë vizitës që ai e bëri më 15 qershor në Novobërdë.

Vizita e tij përfshiu stacionin policor në Novobërdë si dhe zyrën e Kryetarit të Komunës.

Në takim me Boban Todorovic, komandant i stacionit policor (S.P.) në Novobërdë, Todorovic tha së në Komunën e tij ka nevojë për më shumë policë pasi që ajo është zgjeruar gjeografikisht pas reformave të decentralizimit që filluan pas zgjedhjeve komunale në nëntor 2009. Novobërda mori 10 fshatra nga Gjilani dhe 5 të tjera nga Kamenica, territori i saj u rrit nga 92 km² në 205 km² ,  ndërsa popullata është rritur nga 4,000 në 14,000.

Aktualisht stacioni policor në Novobërdë ka 30 policë dhe 5 nëpunës civil. Plani i ri organizativ parasheh 55 policë dhe 10-11 nëpunës civil. “Ne ia kemi dërguar ketë plan komandantit të përgjithshëm të policisë së Kosovës,” shpjegon William Clark, këshilltar i shefit të stacionit policor, departamenti për fuqizim i EULEX-it.

Todorovic shpjegoi së nuk është fjala për punësim të policëve të rinj, por ricaktim në detyrë të policëve që janë të stacionuar nëpër fshatrat e transferuara nga Gjilani apo Kamenica, meqë reformat e decentralizimit ende nuk kishin prekur policinë dhe ata ende vepronin në kuadër të organizimit sipas kufijve administrativ të vjetër.

Todorovic vazhdoi duke falënderuar për bashkëpunimin e përditshëm me homologët nga policia e EULEX-it, ai po ashtu tha se policia në komunitet ishte e suksesshme: “Njerëzit vijnë dhe i raportojnë krimet.” Në ketë aspekt Z. de Kermabon pyeti se a po zgjidheshin rastet e policisë shpejtë. Todorovic tha se fatkeqësisht zgjidhja e rasteve, shumica e të cilave janë probleme pronësore, merr kohë pasi që ato duhet të dërgohen në prokurorinë publike në Prishtinë.

Sipas Todorovic: “Bashkëpunimi me prokurorinë publike në Prishtinë është i vështirë ngase  S.P-ja jonë i takon rajonit të Gjilanit ndërsa të gjitha rastet e kundërvajtjeve duhet të raportohen në prokurorinë publike në Prishtinë.” Në vitet e 80-ta kur Novobërda u transferua nga komuna e Prishtinës në komunën e Gjilanit, juridiksioni i gjykatës mbeti i njëjte, gjë që tani shkakton probleme.

Gjatë vizitës që Z. de Kermabon i bëri kryetarit të komunës së Novobërdës Bajrush Ymeri dhe ekipit të tij të lartë, temë bisede ishte drejtësia. Ymeri theksoi se prokuroria publike në Prishtinë kishte një ngarkesë të madhe të rasteve, gjë që shkaktonte probleme kur rastet nga komuna e tij transferoheshin atje. Z. de Kermabon tha se këtë çështje do t’ia paraqesë Ministrit të Punëve të Brendshme si dhe atij të Drejtësisë.

Ymeri theksoi se marrëdhëniet ndëretnike në këtë komunë me shumicë Serbe ishin të shkëlqyeshme. Për këtë arsye, zyra e tij e kishte përgatitur një strategji për të kthyerit meqë po pritej kthim i më shumë familjeve.