Nga Blerim Krasniqi
30 qershor 2010
|
||
---|---|---|
Debati i organizuar nga Qendra Mediale dhe zyra e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, ku ishin prezent përfaqësuesit e EULEX-it dhe të institucioneve të Kosovës në debatin e tretë të organizuar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën duke u përqendruar në fushën e sundimit të ligjit.
“Vitin e kaluar, dhe këtë vit po ashtu, Raporti Programor i EULEX-it do të shërbejë si një pjesë përbërëse e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian pasi që ne jemi sytë dhe veshët e Bashkimit Evropian në terren dhe në nivel qendror për sa i përket sundimit të ligjit”, theksoi Alessio Zuccarini, Udhëheqës i Zyrës Programore pranë EULEX-it. “Raporti përqendrohet në ndryshimet - çfarë është bërë - , çfarë duhet të bëhet, dhe çfarë nuk është bërë”, shtoi ai.
Raporti i Progresit i viteve të fundit ka identifikuar sfidat dhe mangësitë në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, njëjtë sikurse është paraqitur në Raportin e parë Programor të EULEX-it në të cilin është përshkruar gjendja reale dhe në të cilin janë ofruar rekomandime për përmirësime. Pasi që policia dhe dogana sipas raportit të EULEX-it kanë arritur një progres gradual, gjyqësia ka ngecje.
Foto tjera: : |
|
“Raporti i Progresit është si një ekzaminim i kryer me rreze iks, që shfaq mangësitë reale në Kosovë ku njëra nga ato mangësi shihet në Sistemin Gjyqësor”, theksoi Johannes van Vreeswijk, UD në pozitën e Krye-Prokurorit të EULEX-it. “Ai sistem është i dobët në vete, i cenueshëm nga ndikimet politike, dhe jo efikas”, citoi raportin Vreeswijk, megjithatë ai shtoi se bashkëpunimi aktual në mes të EULEX-it dhe institucioneve të drejtësisë na jep arsye që të presim ndryshime pozitive në Sistemin Gjyqësor.
Ismet Kabashi, Kryeprokuror i Kosovës theksoi mangësinë kryesore në Sistemin e Prokurorisë të Kosovës i cili sipas tij deri tani nuk ka qenë efikas në luftimin e korrupsionit, pasi që ka pasur mungesë të koordinimit dhe bashkëpunimit me policinë dhe agjencitë tjera që e luftojnë krimin. Mungesa e legjislacionit në Gjyqësi dhe Prokurori ishte edhe një nga mangësitë të cilat i ceku Kabashi. “Miratimi i këtij legjislacioni është me rëndësi qenësore për Sistemin e Prokurorisë pasi që siguron qëndrimin e vazhdueshëm të prokurorëve në pozitat e tyre”, theksoi Kabashi.
Ministri për Drejtësi i Kosovës, Haki Demolli shpjegoi para gazetarëve se Ministria të cilën ai e udhëheqë në mënyrë intensive është duke punuar në hartimin e legjislacionit të ri të nevojshëm. “Më konkretisht në Ministri po punohet në përmbushjen e infrastrukturës ligjore, ligjin për Gjykatat e Kosovës i cili do të jetë edhe si bazament për reformimin e Sistemit të Gjyqësisë në Kosovë”, theksoi Demolli. Veç kësaj, ai shtoi se në Ministri është duke u përgatitur ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe ligji për Prokurorinë Shtetërore të Kosovës.
Konkludimi i pjesëmarrësve në debat ishte se reformimi është i vështirë dhe se nuk mund të arrihet brenda natës, dhe se krahas miratimit të legjislacionit ai duhet edhe të zbatohet.
“Transparenca dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë të thata, ato duhet të shndërrohen në veprime dhe se njerëzit duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive”, përfundoi Zuccarini.