English Shqip / Srpski

LAJME

EULEX-i dhe autoritet vendore përshpejtojnë hapat

30 July 2010

Gjatë tri javëve të fundit EULEX-i i ka ushtruar kompetencat e veta ekzekutive në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimet e luftës.

Policët e EULEX-it gjatë bastisjes së zyrave të PTK-së

Gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it dhe policia e EULEX-it kanë qenë të angazhuar në mënyra të ndryshme në bastisje, hetime, arrestime dhe shqiptime të dënimeve.
Të dyshuarit për marrje të ryshfetit përfshinin Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Drejtorin e PTK-së, një ish-Sekretar të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, një ish-Gjykatës të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe një administrator të TI-së në Qeverinë e Kosovës, ndërsa një udhëheqës i ish UÇK-së është arrestuar nën dyshimin për krime të luftës. Veprimet e EULEX-it në këtë drejtim demonstrojnë një aspekt të rëndësishëm të sundimit të ligjit, që do të thotë se asnjë individ, pavarësisht statusit që mund ta ketë, nuk është mbi ligjin.

Arrestimi i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës më 23 korrik lidhur me një hetim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, pranim të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe pastrim parash, zgjoi shumë interesim. Pjesëtarët e PK-së nga Task-Forca Anti-korrupsion e PSRK-së kanë kryer shtatë bastisje – të autorizuara nga Gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë – në banesat private të katër personave të dyshuar, duke përfshirë edhe banesën e Guvernatorit. Gjatë zhvillimeve të mëtutjeshme, më datën 29 korrik, Zyra e Prokurorit Special kishte ngritur akuza shtesë për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “pranim të ryshfetit për lëshimin e licencave të punës për kompanitë e sigurimeve prej vitit 2006 deri 2008. Ky rast është një shembull i mirë për autoritetet vendore të cilat janë duke marrë më shumë përgjegjësi duke përfshirë edhe rastet me pozita të larta. Ato monitorohen, mentorohen dhe këshillohen nga kolegët e tyre nga EULEX-i.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i ish-Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë dhe këshilltarit aktual në këtë institucion, i cili u arrestua më 13 korrik në lidhje me një hetim penal për shmangie të tatimit. I pandehuri më pas është liruar me një dorëzani prej 50,000€, e caktuar me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Deri më tani bastisjet janë kryer në tri lokacione në Prishtinë, duke përfshirë edhe një zyrë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Aksionet e fundit tregojnë se EULEX-i dhe institucionet vendore për sundim të ligjit janë duke i përshpejtuar hapat në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ne jemi të përkushtuar që të përkrahim institucionet vendase në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe llogaridhënës, pa ndërhyrje politike, i cili përfundimisht dhe ekskluzivisht do të jetë përgjegjës për sundimin e ligjit në Kosovë.”

Roy Reeve, Zëvendës i Shefit të Misionit EULEX në Kosovë

Nga mesi i muajit korrik edhe PTK-ja ishte cak i bastisjeve të ngjashme dhe atë në 8 lokacione – 3 në Prishtinë dhe 5 në Pejë, të cilat u kryen nga disa hetues dhe policë të EULEX-it, së bashku me Task-Forcën Anti-korrupsion të Policisë. Bastisjet, të cilat përfshinin edhe shtëpinë e Drejtorit të PTK-së, ishin të lidhura me hetimet për një kontratë dy milionëshe për licencë të telekomunikacionit, të nënshkruar nga PTK-ja dhe operatori mobil Dardafon.
Përderisa këto hetime ishin në fazën e vet fillestare, në Gjykatën e komunale në Prizren, një panel i përzier i gjykatësve, duke përfshirë edhe një gjykatës të EULEX-it, i shqiptoi dënimin me 4 vjet burgim dhe një gjobë prej 10,000€ një ish gjykatësi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë për shkak të pranimit të ryshfetit në shumë prej së paku 53,000€.
Gjatë kësaj periudhe, EULEX-i gjithashtu është angazhuar edhe në tri raste të krimeve të luftës, prej të cilave dy janë në lidhje me rastin Bllaca. Më 28 korrik policia e EULEX-it kishte bastisur banesën e një udhëheqësi të ish-UÇK-së të dyshuar për krime lufte. Ngjashëm, më 13 korrik Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it kishte arrestuar një person i cili ishte akuzuar për krime lufte të kryera në qershor 1999 në komunën e Lipjanit. Në të dyja rastet, aksionet e EULEX-it ishin ndërmarrë nën mbikëqyrjen e PSRK-së.


Rasti tretë për krime lufte ishte i një serbi të Kosovës, i cili ishte ekstraduar nga Norvegjia më 13 korrik, për të cilin gjykatësi i EULEX-it për procedurë paraprake në Gjykatën e Qarkut në Pejë kishte caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Për të akuzuarin dyshohet se ka kryer krime të luftës kundër civilëve më 28 mars 1999, në rajonin e Pejës.
Më 29 korrik policia e EULEX-it, nën mbikëqyrjen e PSRK-së kishte arrestuar një administrator të TI në Qeverinë e Kosovës, i cili është akuzuar për dëmtim të provave. Ky është arrestimi i parë në lidhje me hetimin në Ministrinë për Transport dhe Telekomunikacion.

Foto tjera:      

 


Share