|
11 tetor 2010
Me ndërmjetësimin e EULEX-it, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit mes Prokurorit të Shtetit të Kosovës Ismet Kabashi dhe Maryvonne Caillibotte, Drejtoreshë e Administratës për Çështje Penale dhe Amnisti në Ministrinë e Drejtësisë dhe Lirive të Republikës së Francës.
|
Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është zhvillimi dhe fuqizimi i bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe Shefi i Misionit EULEX, Yves de Kermabon, dhe zëvendës shefi i Komponentit për Drejtësi – EULEX, z. Bernard Rabatel.
|
“Kjo marrëveshje do të ndihmojë shkëmbimin e informacioneve mes dy shteteve me qëllim që lufta kundër krimit të organizuar të jetë më e suksesshme”, tha Ismet Kabashi, Prokurori i Shtetit të Kosovës. “Për më tepër, do t’i ndihmojë prokurorët tonë që të përfitojnë nga përvoja e prokurorëve francezë që merren me krimin e organizuar”, shtoi ai.
Prokuroria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me vendet fqinje në të kaluarën.
“Ky Memorandum i Mirëkuptimit duhet të përfshijë të gjitha përpjekjet tona, të drejtësisë dhe policisë, për të shtuar efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar i cili si i tillë po i cenon demokracitë tona ”, tha Maryvonne Caillibotte.