English Shqip / Srpski

LAJME

Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës luftojnë krimin përtej kufijve

04 shkurt 2013

Krimi nuk njeh kufij. Aq më pak trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda me migrues. Ky biznes fitimprurës shpesh mbështetet në vuajtjet e njerëzve të cilët përpiqen të ikin nga zonat e konfliktit për një të ardhme më të mirë. Kontrabandistët e migruesve e shfrytëzojnë këtë rast për t’i krijuar perandoritë e tyre të parave të gatshme duke e keqpërdorur dëshpërimin e njerëzve dhe duke i shkelur ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ballkani dhe në veçanti Kosova është atraksion i vazhdueshëm për migruesit nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme drejt Evropës Perëndimore

Jeta e migruesve rrezikohet shumë. Kushtet nëpër të cilat ata udhëtojnë përmes kufijve të shteteve të ndryshme janë të tmerrshme. Ata shpesh futen si bagëti në vende të vogla të fshehta brenda autobusëve dhe kamionëve dhe detyrohen ta përjetojnë urinë, të ftohtit dhe ndyrësinë me ditë të tëra. Nganjëherë atyre ju duhet t’i kalojnë kufijtë në këmbë nëpër rrugë të paligjshme përmes pyjeve, maleve dhe lumenjve të rrezikshëm.

Rrëfimet e këtij lloji të kontrabandës gjithmonë kanë të bëjnë me migruesit dhe mënyrën si ata pa dëshirën e tyre detyrohen të udhëtojnë duke e kërkuar një jetë më të mirë. Ata vërtetë e shkelin ligjin, pa dyshim. Por, pjesa e pikëlluar është që kjo është vetëm njëra pjesë e tregimit.

Pjesa tjetër e tregimit përqendrohet tek ata të cilët e shfrytëzojnë mjerimin e këtyre migruesve. Ata janë kontrabandistët, organizatorët, garantët, vozitësit, falsifikuesit e dokumenteve e kështu me radhë, të cilët në këmbim për shuma të mëdha të parave të gatshme të, cilat i marrin paraprakisht, ndihmojnë udhëtimin e rrezikshëm të paligjshëm të migruesve përtej kufijve. Ky krim e prek çdo vend dhe territor dhe Kosova nuk bën ndonjë përjashtim.

Me ndihmën e EULEX-it, Kosova është duke i zhvilluar kapacitetet e sundimit të ligjit për t’i luftuar krimet e tilla brenda kufijve dhe kufijve administrativ. Në të njëjtën kohë, Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës janë duke kontribuuar në ndërprerjen e rrjeteve kriminale përtej territorit të Kosovës dhe në ndalimin e eksportimit të krimit të organizuar dhe të krimeve të tjera të rënda në familjen e gjerë evropiane.

Shembulli kryesor, i cili kishte në shënjestër kontrabandistët, ishte operacioni i fundit i datës 29 janar 2013. Në dhjetë shtete u arrestuan njëqind e tre të dyshuar dhe u kryen njëqind e shtatëmbëdhjetë bastisje. Në të njëjtën ditë edhe në Kosovë u arrestuan tre persona. Më 2011 dhe 2012 në Kosovë ishin arrestuar dymbëdhjetë persona të tjerë të rrjetit të njëjtë.

“Ky është një shembull i hetimeve të shkëlqyeshme të përbashkëta të kryera nga policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës që ka çuar tek arrestimi i dhjetëra kriminelëve të cilët kanë qenë të përfshirë në kontrabandën me imigrues nga njëri kontinent në tjetrin,” tha Nick Dove, Shef i Njësisë së EULEX-it për Hetime të Krimit të Organizuar. “Kontributi i policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës ishte i pashembullt në kuptimin e përmbushjes së një operacioni të tillë të gjerë,” shtoi Dove.

Projekti i ashtuquajtur Fimathu u krye nën ombrellën e EUROPOL-it dhe përfshiu bashkëpunimin me Kosovën, Malin e zi, Hungarinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Austrinë, Italinë, Slloveninë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Ky veprim i njëkohshëm nuk do të ishte i mundur pa këtë partneritet dhe bashkëpunim.

Zbulimi dhe informatat e mbledhura në Kosovë nga policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës ishin me rëndësi kryesore për përfundimin e suksesshëm të operacionit në mbarë Evropën lidhur me kontrabandën e migruesve. Ballkani dhe në veçanti Kosova është një atraksion i vazhdueshëm tranzitor për migruesit nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme për në Evropën Perëndimore. Në këtë rast, disa prej udhëheqësve kryesorë të këtij rrejti tej-nacional të krimit të organizuar kanë vepruar nga Kosova dhe janë arrestuar atje.
Hungaria, e cila ishte mikpritëse e konferencës ndërkombëtare për shtyp më 30 janar 2013 për t’i prezantuar rezultatet mbresëlënëse të operacionit, falënderoi vendet që kanë marrë pjesë në veprimin e përbashkët dhe nënvizoi kontributin e EULEX-it për ndërprerjen e rrjeteve të krimit të organizuar në përgjithësi dhe kontrabandës me migrues në veçanti.

Pjesëmarrësit e përmendën tragjedinë e lumit Tisza si shembull të pasojave katastrofike të trafikimit të paligjshëm të qenieve njerëzore, i cili pati për pasojë vdekjen e gjashtëmbëdhjetë njerëzve më 2009. Në këtë kontekst, Shefi hungarez i Njësisë për Imigrim të Paligjshëm, z. Zoltan Boross, lavdëroi bashkëpunimin e mirë me EULEX-in në rastin e lumit Tizsa. “EULEX-i ka luajtur rol kryesor në hetimin e rastit të lumit Tizsa dhe në sjelljen e autorëve të krimit para drejtësisë,” tha z. Boross.

Gjykimi i lumit Tizsa, i cili ishte rasti më i njohur i trafikimit të qenieve njerëzore dhe i kontrabandës me migrues që ishte gjykuar ndonjëherë nga EULEX-i, përfundoi me shpalljen fajtorë të shtatë të pandehurve dhe me dënimin e tyre me gjithsej gjashtëdhjetë e gjashtë vjet burgim.

Për shtetet anëtare të BE-së të cilat i kanë dhënë mandat EULEX-it në Kosovë – ky është padyshim kthim i investimeve të tyre.

Për më shumë informata lidhur me projektin Fimathu klikoni këtu.