English Shqip / Srpski


LAJME

Kosova dhe EULEX-i në përpjekje të përbashkëta për të përmirësuar sistemin e azilit

6 shkurt 2014

Mbrojtja e refugjatëve që kërkojnë strehim në Kosovë nga përndjekja në vendet e tyre, paraqet përgjegjësi të autoriteteve që merren me çështjet e azilit. Por duke qenë që ky vend jo shumë moti edhe vet ishte goditur nga kriza e refugjatëve, krijimi i një sistemi funksional të azilit mund të jetë i vështirë, përkundër mikpritjes tradicionale shqiptare për mysafirët që vizitojnë Kosovën.

EULEX
Stela Haxhi Eksperte për Menaxhim të Migracionit duke punuar së bashku kolegët e saj vendor nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion – Ministria e Punëve të Brendshme

 

Përkundër ligjit për azil që është në fuqi, numri i shtuar i azilkërkuesve, mungesa e një sistemi funksional, mungesa e resurseve dhe numri i madh i kërkesave për azil të cilat qëndrojnë të pa proceduara, paraqesin problem të madh për qeverinë.

Në vitin 2008 dhe 2009 numri i përgjithshëm i azilkërkuesve në Kosovë ishte shumë i ultë, por në vitin 2011 numri i azilkërkuesve arriti në 400. Qendra e azilit ka kapacitet për vetëm 25 persona, dhe për shkak të numrit të shtuar të azilkërkuesve, Kosova është dashur që t'i akomodojë ata në një hotel me kushte të dobëta dhe me shpenzime të publike. Kjo gjendje kërkon shumë përpjekje për të bërë reformat e nevojshme. EULEX-i dhe partnerët tjerë në mbrojtjen e refugjatëve kanë ofruar asistencë dhe këshilla Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, i cili po merrej me situatën.

Që nga prilli 2010, Stela Haxhi, eksperte e EULEX-it për menaxhimin e migracionit, përmes rolit dinamik në Mentorim, Monitorim dhe Këshillim (MMK), ka ndihmuar autoritetet lokale që të vendosin procedura korrekte dhe efektive të azilit të bazuara në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe legjislacionin për refugjatë që mundësojnë mbrojtjen e individëve dhe grupeve që ikin nga përndjekja. Ekzistojnë elemente esenciale të cilat duhet t'i përmbushë Kosova në pajtim me Konventën për Refugjatë të vitit 1951.
"Mentorimi, Monitorimi dhe Këshillimi (MMK), është një mekanizëm i shkëlqyeshëm për të arritur rezultate. Duhet të kesh qasje proaktive, të bazuar në rezultate, të ndërtosh besimin, të jesh negociator i durueshëm, dhe mbi të gjitha të jesh profesionist në punën që bëni ", thotë Stela Haxhi.

Stela Haxhi ka zhvilluar një strategji që plotëson nevojat e realitetit të Kosovës, duke u fokusuar kështu në efiçiencë, efektshmëri dhe ndikim. Kjo strategji përmban vlerësimin e nevojave, intervenimet dhe veprimet pasuese. Identifikimi i nevojave, kushteve dhe i vështirësive, si dhe ofrimin e rekomandimeve vetëm pasi të jetë bërë bashkërisht identifikimi i nevojave, ka rezultuar me vendosjen dhe zbatimin e plotë të procedurave për azilin, që i mundëson Kosovës që t'i përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare.

"Përkujdesem që punën ta kryejë mirë dhe të di se cili është rezultati i punës që bëj. Ne gjithmonë fokusohemi në rezultate. Është e rëndësishme të kuptojmë që funksionet e MMK të mos realizohen ndaras. Mentorimi nuk funksionon pa monitorimin, monitorimi nuk funksionon pa këshillimin dhe këshillimi nuk funksionon pa rezultate", shton Stela.

Profesionalizmi dhe besimi i saj se është e mundshme të ndërtohen dhe të reformohen strukturat, të kombinuara edhe me qasjen e saj të bazuar në rezultate, kanë përmirësuar efikasitetin e Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion.

Një numër rekomandimesh të propozuara nga EULEX-i, gjatë procesit të përpilimit të ligjit dhe praktikave janë përcjellë tek autoritetet e Kosovës. Formularë dhe mekanizma të ndryshëm aktualisht janë vënë në përdorim nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion janë qenësore për zbatimin e ligjit për azilin.

"Rreth 96% të rekomandimeve të EULEX-it për të përmirësuar punën e Departamentit janë inkorporuar" thekson Stela Haxhi.

Monitorimi mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse rezultatet janë të matshme dhe të zbatueshme dhe të cilat më bëhen traditë e vet institucionit.

"Është shumë e rëndësishme të ndërtohet një memorie institucionale me një vetëdije për ambientin ku punohet. Ju mund të bëheni pjesë e progresit të Kosovës vetëm nëse punohet sinqerisht dhe ngushtë me homologët vendor, përmes llogaridhënies dhe respektit", pohon Stela Haxhi.

Disa nga punët e bëra tashmë janë shpaguar. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka përmirësuar efikasitetin e procedimit të rasteve, duke përfshirë këtu edhe procedurën e përcaktimit të statusit të refugjatit. Këto masa janë të rëndësishme për Kosovën. Vendosja e kornizës ligjore që mbështet sistemin ndërkombëtar për mbrojtjen e refugjatëve, si dhe zbatimi efikas i azilit paraqesin komponentë të rëndësishme në zbatimin e udhërrëfyesit për viza. "Të punosh me azilkërkues nuk është gjithmonë punë e lehtë. Kërkohet fuqi mendore dhe solidaritet të shoqëruar edhe me njohuri dhe dije për kushtet dhe nevojat e veçanta të grupeve të cenuara. Krijimi i një sistemi korrekt dhe efikas të azilit në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut paraqet sukses kyç për partneritet dhe arritje të përbashkët të autoriteteve kosovare dhe EULEX-it. Shpresojmë që kjo e të jetë e qëndrueshme", përfundon Stela Haxhi.

EULEX-i mbetet i përkushtuar që të mbështesë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të zbatuar procedurat e azilit dhe për të siguruar një sistem korrekt të azilit për ata që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.