English Shqip / Srpski


LAJME

EULEX-i ua dorëzon autoriteteve të Kosovës kopjet e fundit të librave amzë

Prishtinë, 6 mars 2014

Agjencia për Regjistrim Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbajti sot një ceremoni për ta shënuar dorëzimin e kopjeve të fundit të certifikuara të librave amzë të cilat janë bartur në Kosovë si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të lehtësuar nga BE-ja.


Shiko: Dokumentar i EULEX-it rreth kopjeve të librave amë


EULEX
 

Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme, theksoi se ka përfunduar një proces i rëndësishëm i cili paraqet hap thelbësor drejt krijimit të një regjistri civil të besueshëm në Kosovë.

Ai e falënderoi Komisionin Evropian, EULEX-in dhe Këshillin Danez për Refugjatë që e ndihmuan në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti.

"Kjo është një e arritur e madhe. Nëse ka ndonjë dyshim se të dhënat individuale janë ndryshuar, tani mund t'i krahasojmë dhe ta verifikojmë në bazën e të dhënave të regjistrit civil. Krijimi i bazës së verifikuar të dhënave është në interes të procesit për liberalizimin e vizave. Përveç kësaj, kjo bazë e të dhënave është jetike për dokumentet të cilat i lëshon ministria ime aktualisht", tha ministri Rexhepi.

Zëvendës-shefja e EULEX-it, Joëlle Vachter theksoi se kopjet e certifikuara do të kontribuojnë në krijimin e një regjistri të besueshëm dhe të qëndrueshëm civil në Kosovë. Prandaj, ky proces në fund të fundit do të jetë i dobishëm për sundimin e ligjit dhe për rrugën e Kosovës drejt Evropës.

 

"Besueshmëria e gjendjes civile në Kosovë është faktor kryesor që do të merret parasysh gjatë procesit të liberalizimit të vizave. Duhet ende të bëhet punë dhe të gjithë ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë që të sigurohemi që këto kopje të certifikuara të integrohen plotësisht në regjistrin civil të Kosovës dhe të vazhdojmë ta forcojmë integritetin e tij", tha Vachter.

Shefi i sektorit për bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha:

 

"Deri sa të gjitha palët e theksuan rëndësinë e librave të kthyer, rëndësia e tyre do të materializohet plotësisht vetëm kur të dhënat e përfshira do të shfrytëzohen në mënyrën më të mirë që do ta lejojë plotësimin dhe korrigjimin e të dhënave të gjendjes civile. Në vendet ku librat tashmë janë kthyer, zyrat komunale të gjendjes civile i kanë shfrytëzuar tashmë librat për t'i verifikuar të dhënat e qytetarëve duke i krahasuar me të dhënat që gjenden në libra".