|
26 shtator, 2011
Xavier de Marnhac, shef i misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë u takua sot me gratë e Kosovës për të diskutuar në një tryezë të rrumbullakët lidhur me temën “Ndikimi i korrupsionit në jetën e grave”. Tryeza e rrumbullakët është përmbushje e zotimit të de Marnhac për të mbajtur takime të rregullta, të cilin e ka bërë vitin e kaluar me rastin e përvjetorit të dhjetë të Rezolutës 1325 të KSKB mbi gratë, paqen dhe sigurinë.
Tryeza e rrumbullakët iu ofrojë grave të Kosovës rast për t’i ngritur shqetësimet e tyre lidhur me korrupsionin. Pjesëmarrësit theksuan që korrupsioni ka ndikim negativ në shërbimet e volitshme shëndetësore, në mundësinë e sigurimit të vendit të punës, të kredive bankare dhe në qasjen në drejtësi në përgjithësi. Krijimi i mekanizmave efektivë të përgjegjësisë do ta parandalonte diskriminimin e grave.
Shefi i misionit theksoi që mandati i misionit është që t’iu ndihmojë institucioneve të Kosovës në të gjitha fushat e sundimit të ligjit, përfshirë luftimin e korrupsionit. “Barazia gjinore po ashtu nënkupton qeverisje të mirë, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut, transparencë, përgjegjësi, pjesëmarrje dhe përfshirje. Nëse respektohen këto parime, atëherë në përgjithësi ka më pak tendenca për praktika korruptuese dhe korrupsion”, tha ai.
Komente hyrëse bënë po ashtu Hajredin Kuqi, zëvendëskryeministër dhe ministër i drejtësisë dhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi, të cilët po ashtu morën pjesë në diskutim.