English Shqip / Srpski

 

Takimi i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit

28 shtator 2011

Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit (BPKSL) mbajti takimin e njëzet e tretë sot në selinë e EULEX-it në Prishtinë. Takimin e bashkëkryesuan Xavier de Marnhac, shef i EULEX-it, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ministër i drejtësisë dhe Khaldoun Sinno, ushtrues i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë.

 

Pjesëmarrësit diskutuan për dy akte të rëndësishme të legjislacionit: për projektin e kodit penal dhe për ligjin mbi konfiskimin e pasurisë së fituar me aktivitete kriminale. Ata u pajtuan që konfiskimi është një mjet efektiv për ndëshkimin dhe parandalimin e kriminelëve. U bë një përditësim mbi sistemin e menaxhimit të kufijve. Po ashtu u diskutua edhe qendra për inteligjencë financiare.

BPKSL filloi planifikimin strategjik për përkufizimin e prioriteteve të tij për 12 muajt e ardhshëm pas publikimit të raportit të progresit.

Pas takimit shefi i misionit EULEX de Marnhac tha:

“Ndonëse vëmendje e shtuar aktualisht është përqendruar në gjendjen në veri të Kosovës, ne nuk duhet të harrojmë që ende duhet të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën. Nga vendosja e kodit bashkëkohor penal, krijimi i sistemit për menaxhimin e kufijve deri te marrja me korrupsionin dhe përmirësimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, Kosova është duke zhvilluar një gamë të gjerë të reformave të rëndësishme. Këto reforma do ta afrojnë Kosovën edhe më afër standardeve evropiane.”

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha:

“Kemi arritur që t’i koordinojmë aktivitetet tona mes Qeverisë së Kosovës, EULEX-it, Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, andaj kemi dal me rezultate të veçanta në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në përshpejtimin e përmbushjes së detyrave drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.

Ai shtoi: “Ajo çka do të dëshiroja të theksoja në veçanti është se vendosja e doganierëve dhe policëve të Kosovës në pikat 1 dhe 31 ishte veprim i domosdoshëm dhe i vendosur për përmirësimin e rendit dhe ligjit dhe se kjo nuk do të ishte arritur plotësisht pa EULEX-in dhe KFOR-in, dhe në emër të Qeverisë së Kosovës dëshiroj t’i falënderojë për këtë.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës ndërlidhëse të KE-së, Khaldoun Sinno tha:

"Bordi i përbashkët bashkërendues për sundimin e ligjit është forum strategjik shumë i rëndësishëm ku autoritetet e Bashkimit Evropian dhe ato të Kosovës i bashkërendojnë përpjekjet për të fuqizuar drejtësinë dhe sistemet e sundimit të ligjit. Sot kam kënaqësinë që të shpallë funksionalizimin e sistemit për menaxhimin e kufijve, instrument ky i rëndësishëm për luftimin e krimit kufitar. Tani duhet të presim Raportin e radhës të progresit dhe t’i caktojmë prioritetet për vitin në vijim."