English Shqip / Srpski

 

Vendimi për caktimin e paraburgimit

6 tetor 2011

Pas operacionit policor të ditës së djeshme të zhvilluar nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar, gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit prej një muaji për dy persona dhe një muaj arrest shtëpiak për personin e tretë, të cilët u arrestuan dje.

Pasi u intervistuan nga Policia e EULEX-it, dy persona të tjerë u liruan nga ndalimi policor. Ndërsa një person tjetër vazhdon të mbahet në ndalim.

Arrestimi i gjashtë personave dhe bastisjet në 14 lokacione janë pjesë e hetimeve që po vazhdojnë lidhur me dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorime në prokurim ku përfshihet Policia e Kosovës dhe bizneset që e furnizojnë policinë me armë dhe municione. Dyshohet se prej vitit 2008, buxheti i Policisë së Kosovës është dëmtuar me miliona euro për shkak të veprimtarive të personave të arrestuar.

Këto hetime, të udhëhequra nga një prokuror i Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) janë fokusuar në veprimtaritë e personave kryesorë e jo të institucioneve dhe janë pjesë e një numri më të gjerë të hetimeve për korrupsion dhe krimi të organizuar, që po zhvillohen bashkërisht nga PSRK-ja dhe Policia e EULEX-it, të cilët do të vazhdojnë t’i identifikojnë dhe t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që i keqpërdorin pozitat që u janë besuar.

Operacioni i djeshëm e kishte mbështetjen e plotë të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë i të cilëve ishte tejet i çmuar dhe mbetet pjesë qenësore e angazhimit për luftimin e këtyre veprave.