English Shqip / Srpski

 

Shefi i misionit EULEX: Liria e lëvizjes në dobi të gjithëve

22 tetor 2011

Shefi i misionit EULEX Xavier de Marnhac takoi sot përfaqësuesit e komunitetit nga veriu i Kosovës në Shtëpinë e BE-së në Mitrovicë së bashku me Komandantin e KFOR-it gjeneralmajorin Erhard Drews. Qëllimi i takimit ishte që të diskutojnë lidhur me lirinë e lëvizjes si parim themelor sipas standardeve të BE-së.

Liria e lëvizjes duhet të rivendoset shpejtë duke i hequr barrikadat për hir të popullsisë vendase dhe të pranisë ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in.
Ky është parakusht për përmirësimin e sundimit të ligjit që është në interes të gjithëve anembanë Kosovës përfshirë veriun e Kosovës.

Pas takimit, z. de Marnhac tha:

“Ne presim që do të rivendoset liria e lëvizjes për të gjithë në mënyrë që njerëzit ta zhvillojnë jetën e tyre të përditshme pa kufizime. Njerëzit duan liri të lëvizjes dhe sundim të ligjit. Ata që i vendosën barrikadat duhet t’i largojnë ato. Këtë, po ashtu, e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ishte një takim i mirë dhe konstruktiv në të cilin u këmbyen qëndrimet përkatëse.
“EULEX-i do të vazhdojë të punojë me KFOR-in për ta siguruar zbatimin e parimit themelor të lirisë së lëvizjes pa vonesa të mëtejshme.”