English Shqip / Srpski

 

Regjistri civil – u dorëzua libri i parë

20 dhjetor 2011

Sot, zëvendës-shefi i EULEX-it, Andy Sparkes ia dorëzoi kopjen e parë të certifikuar të librave të regjistrit civil zëvendës-kryeministres së Kosovës, Edita Tahiri. Këto dokumente, që kishin të bënin me komunat e Janjevës dhe Lipjanit, përbëhen nga certifikatat e lindjes.

EULEX-i i ka certifikuar këto dokumente më 6 dhjetor si pjesë e marrëveshjes së arritur më 2 korrik 2011 në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Pasi të zbatohet në tërësi kjo marrëveshje, ajo do t’i kontribuojë krijimit të Regjistrit Civil të qëndrueshëm dhe të besueshëm në Kosovë siç parashihet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe do të shërbejë si një pikësynim i ardhshëm në udhërrëfyesin për hapjen e dialogut për vizat.

Pas dorëzimit të dokumenteve, zëvendës-shefi i EULEX-it Andy Sparkes tha:

“Ky është një shembull i mirë i përfshirjes së EULEX-it në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me anë të Dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Brukseli. Mbetet edhe shumë për t’u bërë, por procesi tani po ecën përpara dhe EULEX-i i inkurajon të dyja palët që të vazhdojnë, të bindur për rezultatet pozitive. “

Gjendja civile e besueshme është shumë e rëndësishme për qytetarët e rëndomtë pasi që ajo u ofron atyre siguri ligjore. Gjendja civile i përmban të gjitha informatat përkatëse lidhur me fazat e ndryshme të jetës së ndonjë personi, siç janë lindja, kurorëzimi ose vdekja. Ky është vetëm fillimi i procesit. Më shumë se katërmbëdhjetë mijë libra të regjistrave origjinale duhet të skanohen, kopjohen dhe certifikohen.