|
13 janar, 2012
Të premten më 6 janar 2012, Demë Nikqi, nga Peja, është ekstraduar nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat mbi dyshimin se ai ka udhëhequr një rrjet ndërkombëtar të trafikimit me qenie njerëzore. EULEX-i, mbi bazën e hetimeve të veta të cilat përfshijnë z. Nikqin, i ka dhënë asistencë autoriteteve gjyqësore në Shtetet e Bashkuara.
Z. Nikqi është kapur nga autoritetet Shqiptare më 4 tetor 2011 kur po kalonte kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ai u arrestua mbi bazën e një lajmërimi për persona të kërkuar të lëshuar nga Interpoli. Sipas dokumenteve gjyqësore në SHBA, z. Nikqi dyshohet se çdo vit ka trafikuar qindra individë përtej kufirit Meksikan dhe i ka futur ata në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2010 një nga operacionet e Nikqit për trafikim me gjasë ka rezultuar me vdekjen e një Kosovari në Teksas.
Paralelisht me hetimet e autoriteteve të SHBA-së, prokurorët e EULEX-it janë duke kryer hetimet e tyre ndaj trafikimit me qenie njerëzore, e të cilat ndërlidhen edhe me z. Nikqin. Z. Nikqi dhe bashkautorët e tij dyshohen se kanë trafikuar një numër të pacaktuar të kosovarëve në Amerikën Veriore duke i pajisur ata me pasaporta false dhe duke u treguar atyre se cilën rruge duhet ta ndjekin. Në shkëmbim të kësaj, individëve të trafikuar u duhej të paguanin shuma të mëdha parash që arrinin deri në pesëmbëdhjetë mijë euro për person.
Në kuadër të këtij hetimi, më 7 dhjetor 2011, Policia e Kosovës ka arrestuar katër individë nga rajoni i Pejës dhe ai i Mitrovicës si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre. Ky operacion policor është udhëhequr nga një prokuror i EULEX-it dhe është autorizuar në mënyrën e duhur nga një gjykatës vendor i procedurës paraprake.
Momentalisht këtyre personave u është caktuar masa e paraburgimit deri në mars 2012. Prokurorët e EULEX-it vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me autoritetet gjyqësore të SHBA-ve për këtë rast. Hetimi është ende në fazën para gjykimit.