|
6 shkurt 2012, Prishtinë
Përfaqësuesi i ri Special i BE-së/shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Žbogar, ka thënë se Kosova ka hyrë në fazën kyçe të marrëdhënieve të saj me BE-në. Duke folur me rastin e pritjes vjetore të BE-së në Prishtinë, z. Žbogar ka thënë se vizita e fundit e Komisionares së BE-së për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, dhe fillimi i dialogut lidhur me vizat, ishin zhvillime pozitive.
“Ky është vetëm një manifestim i një tempoje pozitive të cilën duhet ta zhvillojnë më tej BE-ja dhe Kosova. Nga ana jonë, ndryshimet e prezencës së BE-së, të cilat kanë hyrë në fuqi me emërimin tim, janë vendimtare për thellimin e raporteve me Kosovën. Prania e BE-së tani është unifikuar në mënyrë efektive. Kjo mundëson që BE-ja të flet me një zë më të fuqishëm dhe më të qartë”, ka thënë Žbogar.
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac tha se Misioni si një ndër organet kryesore të BE-së në Kosovë, punon ngushtë me Zyrën e PSBE/BE-së dhe me institucionet e Kosovës. Ai theksoi se EULEX-i do të vazhdojë të zhvillojë dhe forcojë një sistem të pavarur dhe multi-etnik të drejtësisë, shërbime multi-etnike të policisë dhe të doganës.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se duhet bërë akoma më shumë për të arritur këtë objektivë në partneritet të ngushtë me autoritetet e Kosovës. Në emër të EULEX-it unë mund të ju garantoj përkushtim të plotë. Por përfundimisht, është tejet e rëndësishme që autoritetet e Kosovës të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë” tha de Marnhac.
Duke përmbledhur çështjet kryesore për vitin 2012, De Marnhac dhe Žbogar theksuan gjithashtu mbështetjen për dialogun dhe për qasjen e pakushtëzuar dhe të përhershme në veri.