|
18 shkurt 2012
Çështja e të pagjeturve vazhdon të jetë një temë shumë e ndjeshme, emocionuese dhe e rëndësishme. Deri tani, trembëdhjetë vite pas luftës, kanë mbetur shumë raste të pazgjidhura. Ne ende nuk e dimë vendndodhjen e rreth 1790 personave nga radhët e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Prandaj, prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë dhe EULEX-it, përmes Departamentit për Mjekësi Ligjore, është që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i gjetur dhe kthyer mbetjet mortore të dashurve tek familjet e tyre, dhe kështu të ndihmojnë në procesin e pajtimit.
“Jam i lumtur që po e prezantoj këtë dokumentar tridhjetë minutash me rastin e publikimit të raportit njëvjeçar të Departamentit për Mjekësi Ligjore. Ky dokumentar e paraqet punën e këtij departamenti dhe i dokumenton vështirësitë me të cilat përballet personeli i tij në punën e tyre të përditshme, si dhe të arriturat e tyre të shumta. Këtu paraqiten njerëzit të cilët sjellin shpirtin dhe përvojën e tyre jetësore në punën e tyre për të kontribuar për çështjen e personave të pagjetur në Kosovë. Njëra nga temat më të rëndësishme në këtë dokumentar është se si personeli i EULEX-it ia përcjell njohuritë dhe aftësitë e tyre bashkëpunëtorëve të tyre vendas, në mënyrë që të ngritën kapacitetet vendase për një kohë afatgjate. Ky film, gjithashtu, mëton t’i kundërpërgjigjet kritikave se numri i personave të pagjetur nuk është zvogëluar dhe se asgjë nuk është duke u bërë në këtë drejtim”, thotë Francoise Lambert, Zëvendës Drejtoreshë e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it. “
Që nga themelimi i tij në vitin 2008, DML-ja në mënyrë efektive dhe konkrete ka kontribuar në vënien e bazamentit për ta ngritur një qendër profesionale për kërkime mjeko-ligjore dhe ka ndihmuar në zgjidhjen e rasteve të personave të pagjetur. Ky dokumentar përqendrohet në profesione të ndryshme që përfshihen në procesin e rasteve të personave të pagjetur si: arkeologë dhe antropolog ë mjeko-ligjor, asistentët për shoqërinë civile dhe për sensibilizim, koordinatorët për zhvarrosje – ndërsa lista është e gjatë. Ai, po ashtu, e vë në pah edhe punën e ekspertëve të EULEX-it në monitorimin, mentorimin dhe këshillimin, me qëllim të trajnimit të ekspertëve vendas në mënyrë që ata vetë të jenë të aftë ta kryejnë këtë detyrë. Së bashku me EULEX-in, Ministria e Drejtësisë e ka themeluar një ekip kosovar për zhvarrosje në kuadër të DML-së, i cili është trajnuar në arkeologji mjeko-ligjore. Kjo është shumë me rëndësi pasi që, në një të ardhme të afërt, ky ekip do të jetë përgjegjës për shumë punë në këtë fushë.
Zyra për Shtyp dhe Informim Publik e EULEX-it ju rekomandon ta shikoni këtë dokumentar. Ai do të shfaqet në RTK këtë të dielën në ora 22.00, menjëherë pas lajmeve qendrore. Ju lutem që këtë informatë ta përcillni më tej.