English Shqip / Srpski

 

Aktgjykimi për një rast të kontrabandës me armë

Prishtinë, 20 shkurt 2012

Një trup gjykues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, më 16 shkurt të këtij viti ka shpallur Xh.P nga Bosnja e Hercegovina fajtor për furnizim, transport, prodhim, shkëmbim dhe shitje të paautorizuar të armëve, në kundërshtim me nenin 327 të Kodit Penal të Kosovës (KPK), dhe e ka dënuar atë me 1 vit e 10 muaj burgim.

Duke e marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, trupi gjykues nxori një aktgjykim të veçantë duke anuluar masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Xh.P. dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.

Në prill të vitit 2010, në komunën e Mitrovicës, gjatë kontrollimit të kryer nga njësia patrulluese e Doganës, në veturën e të akuzuarit ishin gjetur shtatëmbëdhjetë (17) pistoleta dhe nëntëmijë e gjashtëqind e dyzet (9640) fishekë të cilat po transportoheshin nga Sarajeva në Kosovë.

Më 15 shkurt 2012, prokurori i EULEX-it i tërhoqi akuzat ndaj dy të pandehurve të tjerë në këtë rast, H.A. dhe I.A. ndërsa si rezultat i kësaj gjykata i hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj tyre.

H.A. ishte akuzuar për veprën penale të furnizimit, transportimit, prodhimit, shkëmbimit dhe shitjes së paautorizuar të armëve, në kundërshtim me nenin 327 të KPK-së, si dhe për pronësi, kontroll, posedim dhe përdorim të paautorizuar të armëve, në kundërshtim me nenin 328 të KPK-së.

I.A. ishte akuzuar për veprën penale të pronësisë, kontrollit, posedimit dhe përdorimit të paautorizuar të armëve, në kundërshtim me nenin 328 të KPK-së, megjithatë akuzat ishin hedhur poshtë.

Rasti u ndoq penalisht nga një prokuror i EULEX-it, i cili paralajmëroi ankesë kundër dënimit të shqiptuar ndaj Xh.P.

Hetimi, ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimeve të rënda në Kosovë janë pjesë e mandatit ekzekutiv të EULEX-it.