|
22 mars 2012
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac gjatë vizitës së tij në Pejë është takuar me kryetarin e kësaj komune, Ali Berisha. Ata diskutuan për gjendjen e sundimit të ligjit në këtë rajon. Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga komponentët e EULEX-it për drejtësi, polici dhe doganë, sikurse edhe zyrtarë të lartë komunal dhe zyrtarë vendas të sundimit të ligjit.
Z. de Marnhac tha se Kosova i ka vënë përpara disa synime të rëndësishme, si liberalizimi i vizave, por këto synime mund të arrihen vetëm nëse shënohen përmirësime në sferën e sundimit të ligjit. Ai tha se EULEX-i do të vazhdojë me ofrimin e mbështetjes, mirëpo rezultati përfundimtar do të varet nga vetë institucionet e vendit.
“Sot, ne diskutuam për gjendjen e sigurisë publike në rajon. Janë shënuar disa zhvillime shumë pozitive, por ende ka hapësirë për përmirësime. EULEX-i do të jetë i pranishëm për t’i ndihmuar institucionet e sundimit të ligjit. Mirëpo, lidhur me këto objektiva, unë e kam thënë se në fund të fundit do të jenë vetë institucionet e Kosovës të cilat duhet ta kryejnë punën e vet”, tha de Marnhac. “Kjo është arsyeja pse u ndjeva mirë kur bisedova me përfaqësuesit e policisë, drejtësisë dhe doganës, sepse secila prej tyre përmes veprimeve të veta e ka rastin që ta mbështesë arritjen e këtyre objektivave”, shtoi de Marnhac.
Kryetari i komunës së Pejës, Ali Berisha, tha se gjendja e sigurisë në komunë është duke u përmirësuar vazhdimisht, gjë që është një lëvizje pozitive për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
“Niveli i kriminalitetit është në rënie; sidoqoftë, institucionet komunale vazhdimisht kërkojnë nga policia, gjyqësori dhe prokuroria që të kenë një përkushtim më të madh dhe të bashkëpunojnë me EULEX-in, në mënyrë që kriminaliteti në komunën tonë të shënojë rënie të mëtejme. Dihet mirëfilli se niveli i sigurisë e përcakton të ardhmen tonë, objektivat tona zhvillimore, zhvillimin ekonomik, sikurse edhe orientimin tonë drejt Evropës.”, tha Berisha.
Gjatë ditës, Shefi i EULEX-it është takuar edhe me personelin e këtij misioni, i cili punon në rajonin e Pejës.