English Shqip / Srpski

 

Kumtesë e shefit të Misionit

27 mars 2012

Siç jeni në dijeni, në fillim të kësaj vere EULEX-i do të hyjë në një fazë të re, pas aprovimit së fundi të Rishikimit Strategjik të Misionit. Kjo do të ketë si rezultat qëndrimin e rishikuar të Misionit dhe do të paraqesë ndryshime të konsiderueshme pas skadimit të mandatit aktual më 15 qershor 2012. Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton është pajtuar që mandati im, i cili është i lidhur me Misionin, të përfundojë në të njëjtën kohë. Unë e mbështes këtë vendim plotësisht.

Ishte nder i madh ta përfaqësojë Bashkimin Evropian dhe ta udhëheqë që nga viti 2010 misionin e tij më të madh dhe më kompleks të Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje. Unë kam shërbyer në këtë cilësi me përkushtim, me besimin që Përfaqësuesja e Lartë dhe Shtetet Anëtare më kanë dhënë gjatë gjithë kohës së qëndrimit tim në këtë post.

Vërtetë më kanë pëlqyer vitet e shumta të qëndrimit tim në Kosovë, si në pozitën aktuale ashtu edhe në atë të kaluarën, dhe kam krijuar vlerësim të fuqishëm për popullin e saj, kulturën dhe historinë dhe për rajonin. Po ashtu kam krijuar respekt të thellë për profesionistët e policisë, të doganës dhe të sektorit të drejtësisë – si ata ndërkombëtarë po ashtu edhe ata vendas – të cilët punojnë në mënyrë të palodhshme për ta zhvilluar një sistem të udhëhequr nga ligjet, në të cilin ofrohet qasja në drejtësi, kontestet zgjidhen në mënyrë paqësore dhe të drejtë dhe veprat penale ndëshkohen.

Viti i kaluar ka qenë vërtetë sfidues, por po ashtu ka treguar që EULEX-i ishte në gjendje t’i përshtatej kësaj sfide. Në ndërkohë, ka treguar që Kosova është në rrugën e duhur, përderisa institucionet dhe shoqëria e saj vazhdojnë t’i aspirojnë parimet dhe vlerat të cilat i përkrahë BE-ja.

Unë besoj që EULEX-i është në pozitë më të mirë sot t’i ndihmojë Kosovës në rrugën e saj, duke iu falënderuar hapave të rëndësishëm së fundi të cilët i kemi mbështetur. Kjo është bërë jo vetëm për shkak të partneriteteve të cilat i kemi krijuar, por po ashtu për shkak të përkushtimit të shumë pjesëtarëve të stafit ndërkombëtarë dhe vendas të EULEX-it. Dua ta shfrytëzojë këtë rast dhe t’ju falënderojë të gjithëve për punën e madhe dhe përkushtimin, i cili jam i sigurt do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm ndërsa EULEX-i hyn në fazën e tij të ardhshme.

Të jeni të sigurt që unë do të vazhdojë ta shtyjë përpara agjendën e sundimit të ligjit gjatë pjesës së mbetur të qëndrimit tim në këtë pozitë dhe pres përkushtimin dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme.