|
28 mars 2012
Më 27 mars 2012, trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas të Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës e ka shpallur R.H. fajtor për vrasje dhe për mbajtje, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armës. Ai u dënua me një dënim të përgjithshëm prej nëntë vjet burgim.
Trupi gjykues e shpalli të pandehurin fajtor sepse më 18 nëntor 2010, rreth orës 10:45 në vendin e quajtur “Ura e Gjakut” në Mitrovicë, ai me dashje e privoi nga jeta M.D. duke e sulmuar me thikë. Si pasojë e lëndimeve të marra, M.D. vdiq rrugës për në spitalin e Mitrovicës. Po ashtu, trupi gjykues konstatoi se në periudhën ndërmjet vitit 1990 dhe 24 gusht 2010, i pandehuri ka poseduar një pistoletë TT M57 pa leje adekuate për armëmbajtje.
I pandehuri është liruar nga një pikë tjetër e akuzës për mbajtje, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armës.
Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Qarku i Mitrovicës.
Dispozitivin e këtij aktgjykimi në gjuhën angleze mund ta shkarkoni prej këtu.