|
27 prill 2012
“ Edhe 1781 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur nga konflikti në Kosovë. Prandaj, kjo është arsyeja pse EULEX-i po e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, në përpjekjet e tij për të zbardhur fatin e të pagjeturve. Veç kësaj, lidhur me këtë çështje DML/EULEX po bashkërendon në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, familjet veç e veç dhe me disa palë të tjera të interesit.
Trembëdhjetë vite pas këtyre ngjarjeve tragjike që morën shumë jetë njerëzish, EULEX-i dhe DML-ja po vazhdojnë të kërkojnë dhe t’i gjejnë mbetjet mortore të tyre. Deri më sot, familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të rreth 300 personave. Ky është rezultat i kërkimeve intensive dhe tri sezoneve të punës në terren, me gjithsej 310 operacione në terren. Janë analizuar mijëra dokumente dhe më shumë se 1300 mostra eshtrash janë dërguar për analizën e AND-së.
Këtë vit do të bëhen kërkime në më shumë se 30 lokacione potenciale. Përveç kësaj, kolegët tonë vendas do t’i fillojnë hetimet e tyre për rastet e mundshme të identifikimeve të gabuara si dhe operacionet e tyre në terren, të ndihmuara nga ekspertët e EULEX-it për mjekësi ligjore.
Mjekët e EULEX-it vazhdojnë t’i mentorojnë dhe monitorojnë kolegët e tyre vendas në strukturimin e një departamenti modern të mjekësisë ligjore. E tërë kjo punë është duke u bërë me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve vendase të qëndrueshme, në mënyrë që Ministria e Drejtësisë të mund ta vazhdojë këtë punë në të ardhmen me profesionalizëm të lartë.
Përpara na presin shumë sfida, por EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Departamentin për Mjekësi Ligjore në përpjekjet për të zbardhur fatin e atyre që nuk janë gjetur ende.
EULEX-i e ka përgatitur një dokumentar 30 minutash lidhur me Departamentin për Mjekësi Ligjore (DML) dhe punën e tij në terren, i cili do të transmetohet sonte në RTK.”