English Shqip / Srpski

 

Shtatë persona u dënuan për krim të organizuar dhe rrëmbim

4 maj 2012

Dje, trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas në Gjykatën e Qarkut në Peja i ka shpallur të pandehurit B.K., D.I., H.K., A.N., I.L., H.K. dhe S.G. fajtor për krim të organizuar dhe rrëmbim. Atyre u janë shqiptuar dënime me burgim prej gjithsej tetëdhjetë e shtatë viteve.

B.K. u dënua me shtatëmbëdhjetë (17) vite burgim dhe 200.000 euro gjobë; D.I. u dënua me trembëdhjetë (13) vite burgim dhe 180.000 euro gjobë; H.K. u dënua me dymbëdhjetë (12) vite burgim dhe 150.000 euro gjobë; A.N. u dënua me pesëmbëdhjetë (15) vite burgim dhe 150.000 euro gjobë; H.K. u dënua me dhjetë (10) vite e gjashtë (6) muaj vite burgim dhe 150.000 euro gjobë; S.G. u dënua me dhjetë (10) vite burgim dhe 150.000 euro gjobë; I.L. u dënua me dhjetë (10) vite burgim dhe 150.000 euro gjobë. Të akuzuarit B.K., D.I., H.K. dhe H.K. janë dënuar edhe për posedim të kundërligjshëm të armëve.

Më 21 shtator 2010, të akuzuarit duke vepruar si një grup i organizuar kriminal e kishin rrëmbyer biznesmenin A.M. nga fshati Gllarevë në Komunën e Klinës. Ai ishte mbajtur peng për dyzet e katër ditë, ndërsa për të ishte kërkuar shuma prej tre milion eurosh. Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror vendas nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Palët mund të ankohen ndaj këtij vendimi në afat prej pesëmbëdhjetë ditësh pasi t’u jetë dorëzuar ai.

Dispozitivin e këtij aktgjykimi në gjuhën angleze mund ta shkarkoni prej këtu.