English Shqip / Srpski

 

Gjykata Supreme vërteton pjesërisht dënimin për zhvatje

14 maj 2012

Trupi gjykues i përbërë nga gjykatës vendas dhe të EULEX-it, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme të Kosovës, e ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë kundër M.D., B.M. dhe A.V. për veprën penale të zhvatjes.

Gjykata Supreme i ka pranuar pjesërisht ankesat e të pandehurve dhe e ka hedhur poshtë vendimin e fajësisë lidhur me akuzën për tentim të zhvatjes.

Gjykata, po ashtu i ka pranuar pjesërisht ankesat e Prokurorit të Qarkut për rritje të dënimit me burgim në kohëzgjatje prej tri viteve. A.V. i është shqiptuar dënimi me burgim prej dy viteve.

Gjatë gjykimit, tre të pandehurit M.D., B.M. dhe A.V. janë shpallur fajtorë për veprën penale të zhvatjes dhe tentim zhvatjes dhe secili prej tyre është dënuar me nga dy vite e gjashtë muaj burgim.

Gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar se, ndërmjet nëntorit 2009 dhe shkurtit 2010 në Pejë, të pandehurit duke vepruar në grup, i kanë zhvatur E.Ll. 150 mijë euro. Po ashtu, ky rast ka të bëjë edhe me procesin e privatizimit, i cili kishte dështuar kryesisht për shkak se të pandehurit e kishin kërcënuar një investitor të huaj që t’i përfshijë ata në kompaninë e cila kishte fituar në procesin e ofertimit. Kjo kishte bërë që investitori i huaj të tërhiqet nga procesi i ofertimit.