English Shqip / Srpski

 

Aktgjykim në një rast të krimit të organizuar

24 maj 2012

Sot, një trup gjykues i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dhe gjykatësve të vendit në Gjykatën e Qarkut në Pejë shpalli K.P. fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autoritetit, ndërsa L.P. dhe B.B. i shpalli fajtorë për kryerjen e veprës penale të mashtrimit. I.S. është liruar nga të gjitha akuzat.

Trupi gjykues kishte konstatuar se K.P. (ish-gjykatës) dhe L.P. (ish-avokat) kishin përgatitur një ankesë për lëndim personal. K.P. kishte caktuar B.B. (mjek) i cili kishte përpiluar një raport mjekësor të gjerë. I pandehuri, I.S. kishte vepruar në emër të Fondit të Garancisë të Kosovës dhe ishte pajtuar që të bëhej kompensimi në shumë prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro. Si gjykatës kryesues K.P. kishte miratuar këtë marrëveshje për kompensim me të cilin Fondi i Garancisë i Kosovës ishte urdhëruar që të paguajë kompensimin në shumë prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro dhe shpenzimet në shumë prej tetëqind euro. K.P. dhe L.P. i kishin keqpërdorur këto para.

K.P. është dënuar me pesë vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Mes tjerash, trupi gjykues i kishte shqiptuar K.P. një ndëshkim shtesë, me të cilin i ndalohet kryerja e detyrave në administratën publike ose të ketë funksione në shërbimin publik për tri vjet, pas përfundimit të vuajtjes së dënimit. K.P. ishte liruar nga akuza për krim të organizuar. Akuzat e mbetura janë bashkuar në një akuzë të vetme të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

L.P. është dënuar me tri vjet burgim. Trupi gjykues ndaj L.P. e kishte ri-kategorizuar akuzën paraprake për krim të organizuar në akuzë për mashtrim. Veç kësaj, trupi gjykues kishte shqiptuar edhe një ndëshkim shtesë për L.P., me të cilin atij i ndalohet të kryejë profesionin e tij për një periudhë kohore prej tri vjetëve, duke filluar nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.

B.B. është dënuar me gjashtë vjet burgim, për kryerje të veprës penale të mashtrimit, e ri-kategorizuar nga trupi gjykues nga akuza për krim të organizuar. Ndëshkimi nuk do të përmbarohet me kusht që i pandehuri të mos kryejë ndonjë vepër penale për dy vjetët e ardhshme. Trupi gjykues ka shqiptuar edhe një ndëshkim shtesë për B.B., me të cilin i ndalohet ushtrimi i profesionit për tri vjetët e ardhshme.

Trupi gjykues kishte vendosur që në mungesë të provave të mjaftueshme të pandehurit të mos gjykohen për veprën penale të krimit të organizuar. Nuk kishte prova që B.B. ishte në dijeni për marrëveshjen e sajuar ndërmjet të pandehurve K.P. dhe J.P. për mashtrim të Fondit të Garancisë të Kosovës. Duhet të jetë një minimum prej tre personave të cilët veprojnë bashkë për kryerjen e veprës penale të krimit të organizuar.