English Shqip / Srpski

 

Gjykata Supreme urdhëron rigjykim për një rast të vrasjes

13 qershor 2012

Një trup gjykues i përzier, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it, në Gjykatën Supreme të Kosovës urdhëroi rigjykimin e S.V. i shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes dhe i dënuar me 17 vite burgim.

Gjykata Supreme e miratoi ankesën e mbrojtjes dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, kurse lëndën e ka kthyer në rigjykim. Trupi gjykues në arsyetimin e tij tha se fillimisht nuk është vërtetuar si duhet lidhshmëria e dëshmive me përgjegjësinë penale të S.V. lidhur me zhdukjen dhe vdekjen e A.Q.. Për këtë arsye, duhet të rivlerësohet gjendja faktike.

Trupi gjykues e refuzoi kërkesën e mbrojtjes për ndërprerjen e burgimit për të pandehurin. Po ashtu, ai nuk i mori parasysh ankesat e prokurorit dhe palës së dëmtuar lidhur me cilësimin e veprës dhe të njëjtat i veçoi.

S.V. ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prizren në mars 2011 për vrasjen e A.Q. në bazë të provave rrethanore. A.Q. qe zhdukur në gusht 1999, kurse mbetjet mortore të tij ishin gjetur në korrik 2002.

Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i qarkut në Prizren.