English Shqip / Srpski

 

Gjykata Supreme e shfajësoi R.K. sipas ankesës

20 qershor 2012
Një trup gjykues i përzier, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme të Kosovës e ka shfajësuar R.K. nga akuza për ndihmë në shpërdorimin e pozitës zyrtare ose autoritetit. Gjykata Supreme e aprovoi ankesën e mbrojtjes duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e liroi të akuzuarin nga kjo akuzë.

Gjykata Supreme vendosi ta shfajësojë R.K. për shkak se ajo nuk mundi ta vërtetojë qëllimin e tij për ta ndihmuar personin zyrtar që ta keqpërdor autorizimin e saj apo marrëdhënien e tyre të supozuar. Po ashtu, trupi gjykues erdhi në përfundim se faktet e mbledhura nuk ishin të mjaftueshme për ta dënuar të akuzuarin.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës e kishte shpallur fajtor R.K. sepse në vitin 2004 ai kishte përgatitur dhe dorëzuar oferta shumë të fryra, fatura të falsifikuara dhe dokumente jo të rregullta për prokurimin e 90 gomave Bridgestone nga Zyra e Presidentit të Kosovës. Ai e kishte bërë këtë duke i ndihmuar qëllimisht Sh.Sh, e cila në cilësinë e saj të personit zyrtar e kishte shpërdoruar pozitën zyrtare të saj në Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.